AlbanianSport.com 28/05/2018 19:25
ASNN – I pranishëm në konferencën e sotme për shtyp krahas trajnerit Kristian Panuçi, ka qenë edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj. “Mendoj që të gjithë futen në fushë për të fituar, është njësoj edhe për ne, – ka deklaruar ai. – Kemi një grup shumë të mirë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar, pavarësisht çfarë ndodh në fushë. Edhe nesër do të kërkojmë fitoren, por të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kosova.”
“Natyrisht që nuk më vjen mirë që largohet Sarri, pasi me të kam 6 vite që punoj dhe e kuptoj mjaft mirë atë që kërkon në fushë, – ka vijuar ai më pas duke folur për klubin e tij italian, Napolin. – Është një trajner të cilit i detyrohem shumë, pasi më ka ndihmuar shumë për të ecur përpara në karrierë dhe më vjen keq që nuk do të jetë më. Sa i përket Ançelotit, më duket një veprim mjaft i mirë i Napolit.”
“Kjo, pasi bëhet fjalë për një nga trajnerët më të mirë në botë, që i ka dhënë shumë futbollit dhe do të dijë të sjellë eksperiencë edhe te skuadra jonë. Ashtu si ju, edhe unë lexoj që Hysaj do shkojë te Paris SG-ja, tek Bajerni i Mynihut, tek Mançester Junajtid, etj, por deri tani mund të them se nuk ka asgjë konkrete. Përsa kohë që nuk ka asgjë konkrete, unë mbetem një futbollist i Napolit dhe jam i lumtur për këtë”, – ka përfunduar Hysaj.