AlbanianSport.com 06/10/2021 17:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të dy sfidave të rëndësishme ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Ndërkaq, Departamenti i Komunikimit në Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ditën e martë është larguar nga grumbullimi mbrojtësi Erjon Hoxhallari si edhe fizioterapisti i Kombëtares, Arzen Voci.
Kjo, sepse, pas testeve të kryera, atë kanë rezultuar pozitivë me “Covid-19”. Hoxhallari dhe Voci janë larguar menjëherë nga hoteli ku gjenden të grumbulluar për t’u karantinuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kësisoj, Hoxhallari nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet që cilësohen si vendimtare për Shqipërinë në ëndrrën për të prekur zonën e “play-off”-it, ku fillimisht do të luajnë më 9 tetor 2021 ndaj Hungarisë në fushë të huaj, ndërsa 3 ditë më vonë, më 12 tetor 2021 do të presin Poloninë në stadiumin “Arena Kombëtare”.