AlbanianSport.com 12/03/2019 17:25
ASNN – Tomas Guidara intervistë për “La Nacion”: Panuçi më telefonoi, ma ka përshkruar Shqipërinë si skuadër të madhe. Një argjentinas në përfaqësuesen e Shqipërisë mund të ishte intriguese, po aq edhe e çuditshme. E para sepse e bën kombëtaren kuqezi me targë “ndërkombëtare”, por njëherësh e çuditshme, pasi, në një kohë që shqiptarët po shpërthejnë në kampionatet rajonale dhe evropiane, trajneri i skuadrës Kristian Panuçi kalon oqeanet për të sjellë në përfaqësuese një argjentinas që e lidh me Shqipërinë vetëm fakti se, mbase, ka origjinë arbëreshe.
Vetë futbollisti ka folur për një prej mediave argjentinase, konkretisht, “La Nacion”, ku ka përshkruar emocionet që i dha ftesa e Shqipërisë dhe telefonata që pati me Kristian Panuçin. “Po, ai më telefonoi, – tha Guidara për median në fjalë ku përshkroi bisedën telefonike që pati me teknikun italian të Shqipërisë. – Po flisnim dhe ai kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha pjesë e ekipit të tij. Më tha se Shqipëria është një kombëtare shumë serioze që po punon shumë mirë. E vërteta është që më çuditi që më telefonoi, pasi ai ka qenë një futbollist i madh, mund të mësoj shumë prej tij”.
Por Guidara pranoi për “La Nacion” se nuk ka hequr dorë për të luajtur për Argjentinën dhe pret një ftesë nga Skaloni. “Të luaj në përfaqësuesen e Argjentinës është e vështirë, por jo e pamundur. Për momentin nuk kam vendosur asgjë, po e mendoj bashkë me njerëzit e afërt që do të më mbështetin në çdo vendim që do të marr. Por sigurisht që më lumturon fakti se mund të më thërrasin në një kombëtare, pasi të luaj jashtë Argjentinës do të jetë një eksperiencë shumë e bukur”, – përfundoi futbollisti Tomas Guidara.