AlbanianSport.com 11/10/2021 23:55
ASNN – Bashkë me trajnerit Paulo Souza, në konferencën për shtyp të së hënës, përpara nisjes së stërvitjes së përfaqësueses së Polonisë në Stadiumin “Arena Kombëtare”, ka qenë edhe futbollisti Kamil Glik, i cili e ka vlerësuar lart Kombëtaren kuqezi. “Shqipëria ka një numër lojtarësh që luajnë në Itali, por edhe trajneri i saj është italian dhe kjo flet mjaft për këtë skuadër, – ka thënë ai fillimisht. – Ne morëm një fitore me fat në ndeshjen e parë në fushën tonë dhe unë nuk besoj se do të përsëritet sërish ajo që Shqipëria të pësojë 4 gola në një takim.”
“Prandaj kjo ndeshje do të jetë mjaft e vështirë, do të luftohet mjaft në mesfushë dhe ne nuk do të presim por do të sulmojmë që nga minuta e parë për të gjetur golin, – ka vijuar polaku. – Kemi presion më shumë se në çdo ndeshje tjetër, kjo është e vërtetë, por kemi një grup lojtarësh që e kanë treguar veten dhe dinë t’i përballojnë këto situata.” Më tej, ai e ka cilësuar ndeshjen me Shqipërinë si të një shkalle të lartë vështirësie. “Nuk mund ta ndaj shkallën e vështirësisë nga ajo e rëndësisë në këtë takim”, – ka thënë 33-vjeçari. “
“Sepse është po aq e vështirë sa e rëndësishme për të dyja skuadrat, – ka theksuar qendërmbrojtësi. – Megjithatë, nëse do të më duhej ta vlerësoja në një shkallë vështirësie nga 1 deri në 10, unë do t’i jepja 8.” I pyetur nga mediat shqiptare, ai ka dhënë edhe një përgjigje të sinqertë lidhur me episodin e diskutueshëm të ndeshjes së parë. “Unë e kam thënë menjëherë pas asaj ndeshjeje që 11-metërshi i Shqipërisë qëndronte, – ka pohuar ai. – Na pëlqen, s’na pëlqen, ndërhyrja ime ndaj Manajt qëndronte. Por gjyqtari e pa ndryshe dhe kjo është çështje e tij.”