Adriatik Balla 05.09.2015 19:40
Mbrojtësi Berat Gjimshiti e kaloi provën e tij në Kombëtare. Edhe pse u fut për herë të parë titullar, në një ndeshje shumë të rëndësishme, ai e justifikoi besimin e trajnerit Xhovani de Biazi, duke bërë një ndeshje të madhe dhe duke qenë një element i sigurt në mbrojtje.
Madje ai spikati dhe me daljet e tij përpara, duke ndihmuar skuadrën në fazën sulmuese, madje duke bërë dhe një goditje roveshatë në pjesën e parë që për pak u fut në rrjetë. Në pjesën e dytë Gjimshiti e ruajti profilin e një lojtari të pagabueshëm, duke i dhënë qetësi skuadrës në pozicionin e tij.
Më në fund ai kalon me sukses provën e tij me Kombëtaren. Në lidhje me ndeshjen ndaj Portugalisë De Biazi pritet të bëjë ndonjë ndryshim në formacion, por kjo do të varet shumë nga rikuperimi ose jo i mbrojtësit Elseid Hysaj. Sidoqoftë, Gjimshiti tregoi mbrëmë se është një pikë e fortë dhe e sigurt në repartin mbrojtës.
Ndërsa Ajeti, edhe pse pati disa luhatje në pjesën e dytë, po konfirmohet si një mbrojtës i talentuar dhe i nevojshëm për Kombëtaren.