AlbanianSport.com 19/11/2018 22:55
ASNN – Gigs: “Më thonë se i kam shënuar Shqipërisë, por unë nuk e mbaj mend, Bejli është gati.” Trajneri i përfaqësueses së Uellsit, Rajan Gigs, doli sonte para gazetarëve në konferencë shtypi në prag të ndeshjes të së martës përballë kuqezinjve tanë që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Ish-futbollisti i i Mançester Junajtid i preku të gjitha çështjet në këtë konferencë, nga mendimi për kombëtaren shqiptare, për aktivizimin ose jo të Gareth Bejlit, eksperimentimin me të rinjtë dhe në fund një rikthim në vëmendje të golit që ai i ka shënuar Shqipërisë 24 vite më parë, por për ironi, tha se nuk e kujtonte fare.
“Kam mundësinë që të provoj disa lojtarë të rinj pasi kjo ndeshje ta lejon, – u shpreh Gigs, – do të bëj të gjitha zëvendësimet e mundshme në këtë duel. Kemi ardhur për të fituar këtu dhe shpresoj të fitojmë.” Në lidhje me aktivizimin ose jot ë sulmuesit të Realit të Madridit, Gareth Bejl, trajneri i kombëtares së Uellsit deklaroi: “Do ta shoh nesër nëse luan apo jo Bejli, është njëlloj si të tjerët. Do ta shoh para ndeshjes e mund të luajë, nuk ka asnjë problem fizik, ndaj është i gatshëm. Sa i takon Ganterit, nuk di ende se ku do ta aktivizoj, por do të jetë titullar. Do të luajë një ndeshje historike, do të thyejë një rekord të vendosur shumë vite më parë. Do të jetë një ndeshje e madhe për të.”
Më pas Rajan Gigs doli në “temë”. Ai komentoi kohën kur i ka shënuar Shqipërisë më 1994, por i habiti të gjithë me deklaratën e tij, sepse theksoi se nuk e mbante mend këtë episod. “Të them të drejtën nuk e mbaj mend aspak. Duhej ta kisha mbajtur mend se nuk kam shënuar shumë gola. Ka shënuar edhe Koleman? Si ka mundësi, të paktën të tijin duhet ta mbaja mend. Duket qartë që më ka humbur memoria.” Në fund, trajneri i Uellsit Rajan Gigs u shpreh: “Do të jenë 1200 tifozë që do të mbështesin skuadrën tonë në këtë ndeshje dhe ne e vlerësojmë në maksimum këtë gjë. Nëse humbasim kundër Shqipërisë nuk është diçka e madhe.”
“Shqipërinë e pashë kundër Skocisë dhe janë një skuadër shumë solide, – ka vijuar trajneri i Uellsit. – Në 22 minutat e para bënë një ndeshje shumë të mira dhe të dyja skuadrat mund të shënonin. Po ishin të pafat. Pres një reagim nga Shqipëria dhe jam i sigurt do të bëjnë maksimumin kundër nesh.” Ndeshja miqësore Shqipëri-Uells do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena” mbrëmjen e së martës, në orën 20:00. Për Shqipërinë synohet kthimi tek fitorja, përpos aktivizimit të të rinjve, kurse për Uellsin një eksperiment i ri me formacionin dhe aktivizimin e të rinjve që i duhen për Eliminatoret e Evropianit të vitit 2020.