AlbanianSport.com 16.08.2015 18:45
ASNN – Xhovani De Biazi nuk është nga ata që kënaqet me pak dhe këtë e kanë mësuar mirë shqiptarët. Ai ka arritur t’i ngjitë kuqezinjtë në vendin e 22-të të renditjes botërore, dhe të mendosh se organizatorët e Evropianit, Franca, pozicionohet e 23-ta. Por më shumë sesa kjo, fati i ka rezervuar një tjetër surprizë të bukur atij, në perspektivën për të rinovuar kontratën dhe për të synuar një tjetër ëndërr madhështore, Botërorin 2018, në Rusi.
Shorti i Shën Pjetërburgut e vuri kombëtaren e tij në Grupin G, përkrah dy gjigantëve si Italia dhe Spanja, përveçse Izraelit, Maqedonisë dhe Lihtenshteinit, një sfidë që nuk e tremb aspak italianin me pasaportë shqiptare, duke qenë se ai, në 25 vite karrierë, ka ditur të notojë dhe të mbijetojë mes peshkaqenëve. 59-vjeçari ka dhënë një intervistë për të përditshmen torineze, “TuttoSport”, gjatë së cilës analizon jo vetëm kampionatin e ardhshëm të Serisë A në detaje, por flet edhe për ëndrrën e madhe shqiptare.
Ëndërr e cila mund t’i dërgojë “shqiponjat” e tij për herë të parë në “folenë” elitare të futbollit kontinental. “Kurrë dhe e pamundur nuk janë pjesë e fjalorit të futbollit”, – thotë De Biazi. AlbanianSport.com ju sjell këtu pjesën e intervistës së tij ku ai flet për Kombëtaren kuqezi dhe lojtarët e saj.
– De Biazi, do ta shohim Shqipërinë për herë të parë në histori në një Evropian?
– Unë nuk di të bëj premtime, por mund të them se shumë do të varet nga rezultati i ndeshjes së 4 shtatorit 2015 në Danimarkë dhe ajo e 7 shtatorit 2015 në Shqipëri, përballë Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Nëse arrijmë t’i kalojmë me sukses këto dy sfida, atëherë asgjë nuk do të jetë e pamundur për ne.
– Ndërsa eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018″ e kanë vënë Shqipërinë në grup kundër Italisë dhe Spanjës…
– Të ndeshem me “axurrët” do të jetë një emocion i veçantë për mua. Mes nesh dhe Italisë e Spanjës, pa dyshim që diferenca e vlerave si ekipe është e madhe, por futbolli është i bukur, sepse parashikimet mund të përmbysen shpesh, prandaj personalisht nuk kam frikë.
– Keni në duar një kombëtare që e ka rritur shumë cilësinë e saj si grup. Keni ndonjë emër që kërkoni t’ia këshilloni dikujt, duke qenë se jemi në një periudhë merkatoje?
– Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka, dy futbollistë të Bazelit, dy futbollistë të denjë për kampionatin italian, jam i sigurt. Garanton “Gani Abazi”, kështu më thërrasin në Shqipëri tani.