AlbanianSport.com 07/09/2019 22:45
ASNN – Kuqezinjtë ndëshkohen me nga dy gola për secilën pjesë loje, Cikalleshi, goli i nderit. Shqipëria e ka humbur ndeshjen e 5-të të këtyre eliminatoreve të “Euro 2020”-ës, teksa është mundur të shtunën 1-4 në Paris nga Franca. Sikundër të gjitha ndeshjet e Kombëtares, edhe kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në një transmetim maratonë. Takimi i luajtur në “Stadë dë Francë” ka nisur në fakt në mënyrë të çuditshme, teksa himni i vendosur nga organizatorët nuk është ai i Shqipërisë.
Ka pështjellim tek lojtarët dhe acarim në stafin kuqezi, që protestojnë për këtë incident dhe pas himnit të Francës, gjithçka do të ndalet për afro 10 minuta, teksa kuqezinjtë kërkojnë respektimin e protokollit dhe këndimin e himnit të Shqipërisë. Dhe më në fund, himni i saktë këndohet dhe madje këmbëngulja e Shqipërisë duartrokitet nga të gjithë të pranishmit në stadium. Loja nis më në fund dhe minutat e para janë të baraspeshuara, por në atë të 8-tën, Koman depërton zgjuarsisht nga e djathta, pas shpinës së Roshit dhe depërton, duke shënuar golin e parë të Francës.
Franca është fare pranë golit të dytë 4 minuta më pas, por mbrojtja kuqezi largon rrezikun me Gjimshitin. Në minutën e 17-të, Elseid Hysaj fiton goditjen e parë nga këndi për Shqipërinë, harkon Bare, por largon Varane i vëmendshëm. 6 minuta më pas, Grizman kalon në shpejtësi Hysajn, por Gjimshiti mbyll mirë duke fituar më pas një rivënie anësore. Franca dyfishon sidoqoftë epërsinë në minutën e 27-të, teksa dërgohet një top i gjatë nga prapavija këtë herë në krahun e majtë të sulmit francez, aty Roshi në kundërkohë nuk arrin të devijojë.
Dhe Hernandes e kthen drejt qendrës për Zhirunë, i cili nuk fal. Shqipëria provon menjëherë të kundërpërgjigjet me Balajn, por gjuajtja e sulmuesit me kokë brenda zonës, shkon ngjitur me shtyllën. Në minutën e 35-të, Hernandes depërton në krahun e majtë dhe futet në qendër, por pengohet nga Mavraj dhe ka 11-metërsh për francezët. Godet Grizman, por topi rrok shtyllën horizontale dhe kthehet në lojë. Shqipëria i shpëton golit të 3-të. Kështu, me këtë epërsi dygolëshe të vendasve do të mbyllet pjesa e parë.
Ndërsa e dyta, që nuk ka zëvendësime, sheh francezët ta vazhdojnë aty ku e kanë lënë, dhe Grizman në të 48-ën, e më pas Zhiru 3 minuta më vonë, provojnë të rrezikojnë portën e Strakoshës. Në minutën e 52-të, gabon sërish mbrojtja kuqezi dhe topi shkon te Lemar, i cili provon brenda zonës, por devijon Ismajli, që shmang një gol të sigurt. Midis dy ndërrimeve të para, të bëra nga Shqipëria nga minuta e 54-t në të 61-tën, ku Klaus Gjasula debuton me Kombëtaren, duke zëvendësuar Ramadanin, ndërsa Balaj i lë vendin Cikalleshit, vjen edhe një aksion i bukur i francezëve.
Por Strakosha bën shpëtimtarin, duke i mohuar vendasve golin e tretë. Një gol që sidoqoftë do të vijë në minutën e 68-të, pas një aksion të bukur i francezëve, që kulmon me pasimin për Komanin në qendër, i cili rrotullohet dhe nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë të vendasve. Shqipëria përpiqet të shënojë të paktë një gol dhe, në të 71-tën, Roshi depërton bukur nga e djathta, harkon në qendër, por as Abrashi as Bare nuk arrijnë të gjuajnë drejt portës. Dy minuta më pas, vjen ndërrimi i fundit kuqezi dhe Abrashi i lë vendin Taulant Xhakës.
Ka kohë edhe për të sapofuturin Ikone që ta kurorëzojë debutimin e tij me fanellën e Francës me një gol, që realizohet në minutën e 84-t dhe është i 4-ti për vendasit. Cikalleshi do të provojë dhe do të arrijnë të shpëtojë diçka në këtë ndeshje për Shqipërinë, duke fituar një 11-metërsh dhe duke e shndërruar atë vetë në gol në minutën e fundit të kohës së rregullt. Provon edhe Roshi në fund për një gol të dytë kuqezi, por goditja e tij është e pasaktë. Mbyllet kështu 4-1 në favor të Francës kjo përballje me Shqipërinë dhe kuqezinjtë mbeten në vendin e 4-t të renditjes, me 6 pikë.