AlbanianSport.com 17/11/2018 11:35
ASNN – Në duelin e sotëm kundër Skocisë, trajneri Kristian Panuçi do t’ia besojë sulmin shkodranit Bekim Balaj, nisur jo vetëm nga mungesa e alternativave më të mira, por edhe njëherësh një shtatlartë përballë mbrojtjes shtatlartë të Skocisë. Natyrisht, Balaj pritet të jetë “pykë” në sulm, por ai do të shoqërohet nga krahët prej dy lojtarëve me kualitet teknik e të shpejtë si Myrto Uzuni dhe Eros Grezda.
Prapa 3-dhëmbëshit të sulmit pritet të jetë “regjisori” Ledian Memushaj, pesha e të cilit në këtë ndeshje do të jetë e madhe. Në mesfushë, rolin e shkatërruesit do ta kenë dy futbollistë mjaft të fortë dhe teknikë, si Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Ky i fundit është në dyshim, pasi në pozicionin e tij mund të luajë edhe Sabien Lilaj i cili po kalon një moment të mirë me skuadrën e tij Gabala në kampionatin azer.
Në portë trajneri Panuci e ka zgjidhur situatën, sepse ka në dispozicion dy gardianë të fuqishëm dhe titullarë në Serinë A, por në këtë ndeshje me siguri që do të luajë Strakosha. Para tij do të rreshtohen 4 mbrojtës, ku me të gjitha gjasat qendrën do ta kenë Mavraj dhe Gjimshiti, kurse në të majtë pritet të pozicionohet Egzon Binaku. Ndërkohë, Elseid Hysaj mungon për shkak kartonësh.
Kështu që në vend të tij pritet të luajë Frederik Veseli, si lojtari më i mundshëm për ta bërë këtë rol, edhe pse Veseli luan zakonisht si qendër mbrojtës.