AlbanianSport.com 05/09/2021 22:55
ASNN – Futbollistët e Kombëtares kanë përcjellë pas ndeshjes për RTSH Sport përshtypjet e tyre mbi fitoren e vështirë ndaj hungarezëve. “Ishte ndeshje shumë speciale, luaja me lojtarë që stërvitem çdo ditë, – ka deklaruar futbollisti kuqezi, Myrto Uzuni. – Ndihem krenar për këtë ngjyra, jam më gati se kurrë. Nuk ndryshoi asgjë, grintën e kishim nga minuta e parë në të fundit.
“Duhet të vazhdojmë së bashku kështu, – ka vijuar lojtari që militon pikërisht në kampionati hungarez me Ferencvaroshin. – Duhet të aktivizohem më shumë për trajnerin, jam në formën time më të mirë. Jam shumë i karikuar, kjo është forma më e mirë, pres të luaj akoma më shumë me Kombëtaren. Ndihem i lumtur, por dua të aktivizohem akoma më shumë.”
“Nuk e prisja këtë dëmtim, – ka pohuar futbollisti tjetër kuqezi, Lorenc Trashi. – Është dëmtim i rëndë realisht, mendova se kaloi. E ndjeva tendinën të rëndë, shpresoj që kur të shkojmë të bëjmë testet të mos jetë i rëndë. Jam i kënaqur me besimin e trajnerit dhe shpresoj që unë dhe ekipi të arrijmë objektivat tona. Rezultati me Poloninë është i papranueshëm edhe se luajtëm mirë.”
“Tashmë e harruam, sot na duheshin pikët sepse do ishte shumë e komplikuar, – ka vijuar ish-futbollisti i Partizanit. – Nuk kishim kohë as për të marrë veten. Sot na u kthye fati i Polonisë. Sot bëmë lojë të mirë, jo si me Poloninë, por jemi të lumtur me ndeshjen. Gjyqtarit i thashë se rivali më ka goditur rëndë, të komunikojë me kolegët dhe duhet të jepte karton e ta shihte në VAR.”
“Jam shumë i lumtur që më në fund debutova dhe që e nisa me fitore, – ka thënë debutuesi me fanellën kuqezi, Nedim Bajrami. – Kemi ndeshje me San Marinon dhe të vazhdojmë kështu. Zëvendësimi? Dola sepse pata një shqetësim te një faull i pësuar, por jam gati për ndeshjen tjetër. Por luajtëm shumë mirë të gjithë dhe jemi të lumtur që morën fitore.”
“Është hera e dytë që jam këtu me ekipin dhe më kanë pritur mirë, – ka vijuar ai. – Duhet të vazhdojmë kështu. Kam folur me trajnerin shumë, ndihem mirë në rolin tim në mesfushë. E dinim që duhet ta fitonim këtë ndeshje dhe jemi të lumtur edhe me tifozët dhe duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër. Nëse luaj shpresoj të shënoj në sfidën ndaj San Marinos.”
“Ndihem mirë edhe pse kam marrë një goditje”, – ka përfunduar Nedim Bajrami, futbollisti që militon në radhët e Empolit në Itali.