Adriatik Balla 28.08.2015 17:05
Ndeshja me Danimarkën dhe Portugalinë e ka angazhuar maksimalisht trajnerin Xhovani de Biazi, i cili nuk toleron t’i lerë gjërat në dorë të kohës. Ai mban kontakte të vazhdueshme me futbollistët, sidomos ata që luajnë rregullisht me ekipet e tyre dhe pritet të ftojë një grup të madh lojtarësh për këto dy sfida.
Një lajm i mirë që vjen për De Biazin në këtë periudhë, lidhet me rregullimin e letrave për lojtarët që nuk ishin federuar nga Shqipëria në FIFA, për shkak të procedurës së pajisjes me pasaportë dhe vonesave burokratike që shoqërojnë këto raste dhe që rrezikonin gatishmërinë e këtyre futbollistëve për të veshur fanellën kuqezi.
Strategu italian është qetësuar kur ka marrë vesh se tre shtyllat e së ardhmes në mbrojtjen kuqezi kanë marrë lejen nga FIFA dhe janë gati për dy ndeshjet ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Fjala është për Arlind Ajetin dhe Berat Xhimshitin (mbrojtësi që do të grumbullohet për herë të parë me Shqipërinë).
Po kështu, bëhet fjalë edhe për Naser Alijin, për të cilin është marrë leja e nevojshme nga FIFA. Të gjithë këta futbollistë do të mund të luajnë me Kombëtaren shqiptare duke nisur që nga sfida e 4 shtatorit ndaj Danimarkës dhe ky është një lajm mjaft i mirë për De Biazin.