AlbanianSport.com 02.09.2017 19:55
ASNN – Shqipëria ka luajtur të shtunën ndeshjen e saj të 7-të në kuadër të grupit G të Eliminatoreve të Botërorit 2018, duke korrur fitoren e 4-t dhe duke ruajtur vendin e 3-të të renditjes. Kështu pra, ka nisur me një fitore epoka e Kristian Panuçit në krye të Kombëtares kuqezi, pasi Shqipëria ka bërë “bis” duke e mundur Lihtenshtejnin 2-0 edhe në “Elbasan Arena”, në sfidën e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejtë nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, ka nisur me një fitore epoka e Kristian Panuçit në krye të Kombëtares kuqezi. Pavarsisht se trajneri Kristian Panuçi e ka nisur me një skemë sulmuese 4-3-3, ku Llullaku i në mes ndihmohet nga mesfushorët e avancuar, Roshi dhe Grezda, pjesa e parë ka nisur me një qarkullim i ngadaltë i topit nga kuqezinjtë, që mundohen të gjejnë hapësira duke kaluar sa nga një krah në tjetrin, për të gjetur hapësira të sulmojnë. Pas 5 minutash, vjen një goditje dënimi nga e majta për kuqezinjtë.
Por topi kalon pasqyrën e portës, pa probleme për skuadrën kundërshtare. Një minutë më pas, Llullaku shkëputet mirë në të djathtë dhe jep topin për Memushajn, por ai nuk arrin të gjuajë në portë. Aksioni vazhdon dhe këtë radhë Roshi jep një pasim të artë për Llullakun, i cili gjuan, por gjen vetëm rrjetën e jashtme. Në minutën e 8-të, pas një goditjeje nga këndi, topi shkon te Basha në pozicion ballor. Mesfushori provon me të djathtën por topi del jashtë, ngjitur me shtyllën në të djathtë të portierit Jehle.
Vazhdon të ketë kontrollin e plotë të lojës Kombëtarja shqiptare, dhe, pas 16 minutash lojë, Memushaj provon të gjejë direkt portën nga goditja e dënimit, por pa sukses, pasi përfundon mbi shtyllën. Minutat kalojnë dhe, në të 23-tën, Roshi harkon një top interesant nga e djathta, por si Llullaku, ashtu edhe Grezda nuk arrijnë të kthejnë atë në rrjetë. Kështu ndodh edhe dy minuta më pas, kur Hysaj provon me një pasim të fortë në qendër nga e djathta, por, përsëri askush nuk finalizon idenë e mbrojtësit kuqezi për të shtyrë topin drejt rrjetës.
Rasti më i mirë për kuqezinjtë vjen në minutën e 34-t, pas një goditje nga këndi, kur topi i harkuar nga Memushaj nuk devijohet në portë as nga Ajeti dhe as nga Roshi, të cilët shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme vetëm pak hapa larg portës. Shqipëria këmbëngul, por porta kundërshtare mbetet një “mollë e ndalueme” për kuqezinjtë, siç ndodh në minutën e 38-të, kur Llullaku merr bukur me gjoks në pozicion ballor në hyrje të zonës dhe pastaj provon të gjejë portën me një kthesë, por topi kalon mbi shtyllën horizontale.
Por edhe dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur kombinimi i shkëlqyer Memushaj-Llullaku-Grezda, me këtë të fundit që gjuan fluturimthi drejt portës me të majtën, por Jehle përgjigjet me një pritje vendimtare. Me kontrollin e plotë të Kombëtares kuqezi, por me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis po me Shqipërinë në sulm. Në minutën e 50-të, Llullaku depërton nga majta brenda zonës, godet prirazi, por, pasakatësisht.
Kuqezinjtë këmbënguliin dhe, pasi Memushaj rrezikon por fiton një goditje këndore, do të jetë (54′) Roshi ai që do të kthejë në rrjetë një goditje të fortë të Bashës brenda zonës dhe do të përshëndesë rrjetën. Shqipëria kryeson 1-0, por vijon të mbetet në gjysmëfushën kundërshtare, dhe Mavraj godet me kokë brenda zone pas një goditjeje këndi në minutën e 58-të, por jashtë, pak mbi shtyllën horizontale të portës kundërshtare.
Katër minuta më pas, Ansi Agolli godet fort nga larg, grushton me vështirësi portieri Jehle për një goditje këndi. Sulmet kuqezi nuk ndalen dhe në të 74-tën është Roshi që provon nga e djathta e sulmit, për ta kthyer topin në qendër të zonës, por gardiani i portës së Lihtenshtejnit grushton dhe e dërgon topin jashtë për një goditje këndi. 12 minuta para fundit Shqipëria do të gjejë edhe golin e dytë dhe kapiteni Ansi Agolli godet zgjuarsisht në kufinjtë e zonës nga e majta, gjen këndin e poshtëm të majtë të portës së Lihtenshtejnit dhe 2-0.
Shqipëria e ka siguruar tanimë fitoren dhe Panuçi i jep debutimin pakminutësh si kuqezi edhe Ahmedit, ndërsa aktivizon edhe Jahmir Hykën. Është ky i fundit që ndërmerr një aksion të shpejtë në krahun e djathtë, ku ai depërton dhe pastaj nis topin në qendër, por Llullaku nuk arrin ta devijojë në portën e boshatisur. Edhe në minutën e parë shtesë, Hyka depërton në zonë, pason në qendër, por askush nuk përfiton dhe largon mbrojtja e Lihtenshtejnit.
Përfundimisht Shqipëria fiton 2-0 ndaj Lihtenshtejnit dhe Shqipëria ruan vendin e 3-të në grup, me 12 pikë dhe hedh vështrimin drejt sfidës me Maqedoninë.