AlbanianSport.com 10.11.2016 12:10
ASNN – Plan masash nga Policia e Shtetit janë parashikuar edhe për sigurinë e ndeshjes në Elbasan. Burime të ndryshme informacioni bëjnë të ditur se stadiumi “Elbasan Arena” është në dorë të Policisë së Shtetit. Veç trupave të saj do të angazhohen edhe forcat “RENEA” & “FNSH”, si dhe do të ketë dhe disa helikopterë.
Pika të ndryshme në lartësi do të menaxhohen edhe nga snajperat e RENEAS. Numri i policëve për këtë sfidë do të jetë i njëjtë me ndeshjen me Serbinë. Ndërsa qyteti i Elbasanit do të menaxhohet nga policia lokale. Deri në këto çaste, nuk ka asnjë të dhënë për një rrezik të mundshëm.
Me urdhër të FIFA-s, ndeshja Shqipëri-Izrael u zhvendos drejt Elbasanit për arsye sigurie, nisur nga arrestimet e 4 personave të premten e kaluar në Shkodër, nën akuzën e akteve terroriste të mbetur në tentativë. Në pranga përfunduan shtetasit Ergys Faslija e Bekim Protopapa, ndërsa ka dyshime se ata janë pjesë e një grupi terrorist, që po organizonin një sulm të mundshëm në Stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes me Izraelin.