AlbanianSport.com 25/07/2022 16:40
ASNN – Pas zyrtarizimit të dy miqësoreve që do të zhvillojë ekipi kombëtar i e Nën-17-vjeçarëve ndaj Maqedonisë së Veriut në muajin shtator, edhe Kombëtarja e Nën-20-vjeçarëve do të zhvillojë dy sfida miqësore ndaj po të njëjtit kundërshtar në atë muaj. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Federata Maqedonase e Futbollit kanë rënë dakord mes tyre për zhvillimin e dy takimeve miqësore mes skuadrave kombëtare.
Departamenti i Komunikimit në FSHF ka bërë të ditur edhe datat e takimeve. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 23 shtator në vendin tonë, ndërsa më 26 shtator, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të zhvillojnë takimin e dytë. Sakaq, ende nuk janë përcaktuar stadiumet dhe oraret e dy përballjeve miqësore. Shqipëria e Nën-20-vjeçarëve drejtohet nga trajneri Ilias Haxhiraj dhe ai do të ketë mundësi të shohë nga afër gjendjen e lojtarëve të kësaj grupmoshe.
Por edhe të vëzhgojë futbollistët e rinj që mund të jenë pjesë e ekipit për herë të parë. Ekipet e moshave Nën-17, Nën-18, Nën-19 dhe Nën-20-vjeçarëve do të zbresin të gjitha në fushë në muajt gusht dhe shtator dhe do të tregojnë cilësitë e tyre ndaj kundërshtarëve përkatës. Skuadrat e Nën-18 dhe Nën-19-vjeçarëve do të udhëtojnë drejt Italisë në muajin gusht, ku do të zhvillojnë dy miqësore luksi kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht.
Ndërsa ekipi kombëtar i Nën-17-vjeçarëve do të zbresë në fushë në muajin shtator, ku do të përballet me bashkëmoshatarët e Maqedonisë së Veriut në datat 12 dhe 14 shtator 2022.