AlbanianSport.com 03.03.2017 17:55
ASNN – Sipas asaj që ka bërë të ditur klubi ku ai luan, Hamburgu, Mërgim Mavraj ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë. Gjatë ndeshjes së kupës të mërkurën, ai ka dëmtuar gjurin e majtë, ndërsa do të mungojë për rreth 4 javë, ka bërë të ditur ky klub. Kësisoj, Mavraj nuk do të mund të luajë për Kombëtaren shqiptare, kur ajo të përballet me Italinë, më 24 mars 2017.
Kështu, “shtylla” e mbrojtjes së Kombëtares, Mërgim Mavraj me shumë mundësi do të mungojë në ndeshjen mjaft të rëndësishme të kuqezinjve ndaj Italisë më 24 mars, si dhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës në miqësoren 4 ditë më pas. Klubi gjerman i Hamburgut ku Mavraj bën pjesë njoftoi nëpërmjet “Twitter”-it se mbrojtësi shqiptar do të qëndrojë të paktën 4 javë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi.
Mavraj luajti 90 minuta në ndeshjen e fundit të Hamburgut në Kupën e Gjermanisë ndaj Borusias së Mënshengladbahut, por, pavarsisht këtij fakti, mbrojtësi pjesën më të madhe të takimit e ka zhvilluar i dëmtuar. Në minutën e 52-të, ai pati një përplasje me Patrick Herrman, ku edhe u dëmtua. Në komunikatën e Hamburgut bëhet fjalë për një dëmtim të tendinës në gjurin e majtë.
Humbja e Mavrajt mund të vlerësohet si mjaft e rëndë për Xhovani De Biazin, duke qenë se në këtë takim, trajneri italian nuk ka në dispozicion as Berat Gjimshitin pasi është i pezulluar. Gjithashtu edhe Arlind Ajeti nuk është se po kalon një formë të mirë, duke qenë se është aktivizuar shumë pak këtë sezon me Torinon në Serie A. Tashmë mbetet për t’u parë se si trajneri do ta ndërtojë mbrojtjen në një sfidë mjaft delikate si ajo e Palermos ndaj të kaltërve më 24 mars.