AlbanianSport.com 08.06.2015 12:15
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi ka treguar disa detaje për miqësoren me Francën përsa i përket formacionit. Agolli, Xhaka, Kukeli, Abrashi e Gashi nuk do të vijnë për shkak se kampionatet e skuadrave ku luajnë sapo kanë mbaruar e futbollistët janë të lodhur e duhet të pushojnë. Ndërkaq, janë afruar në përfaqësuese katër lojtarë nga kampionati shqiptar.
Në prag të miqësores me Francën, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi ka folur përpara mediave për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe lojtarët që ka grumbulluar. “Ndeshja me Francën është e rëndësishme sepse është e vetmja provë që kemi përpara dy sfidave tepër të rëndësishme të shtatorit, – ka theksuar italiani i stolit kuqezi, gjatë konferencën për shtyp të mbajtur dje në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Ardhja e të gjithë lojtarëve tani është e vështirë pasi kampionatet me skuadrat ku luajnë sapo kanë përfunduar dhe ata janë të lodhur, – ka vijuar ai. – Kështu, për shembull, Agolli sapo ka fituar kupën e Azerbajxhanit dhe më 18 qershor skuadra e tij fillon përgatitjet për turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Ndaj mendoj se këtij lojtari i duhen disa ditë pushimi.”
“E njëjta gjë vlen edhe për lojtarët në Zvicër, – ka theksuar trajneri kuqezi. – Përveç Sadikut që do të vijë, të tjerët gashi, Kukeli, Abrashi e Xhaka duhet të pushojnë sepse na duhen të qetë dhe me mjaft energji për ndeshjet e 4 dhe 7 shtatorit.” Për ndeshjen me Francën, De Biazi ka grumbulluar 4 lojtarë që luajnë 3 prej ekipeve kryesore të kampionatit shqiptar të futbollit.
Bëhet fjalë për Arapin dhe Lilajn të Skënderbeut, Fejzullahun e Partizanit dhe Takun e Tiranës. “Për këtë miqësore kam grumbulluar edhe 4 lojtarë nga kampionati shqiptar, – ka pohuar italiani. – Dy lojtarët e Skënderbeut që u shpall “kampion”, Arapin dhe Lilajn, si dhe Fejzullahun e Partizanit e Takun e Tiranës. Ndërsa mbrojtësit Aliji dhe Ajeti kanë qenë të grumbulluar që në ndeshjen me Azerbajxhanin.”
“Memushaj vjen të enjten pasi ka edhe një ndeshje të fundit për të luajtur në Itali”, – ka shtuar ai. Përsa i përket vendimit të KAS-it, i cili do të jepet në datën 12 qershor 2015, një ditë përpara sfidës me Francën, De Biazi ka thënë: “Nëse i marrim 3 pikët do të jetë një faktor më shumë drejt kualifikimit, por ne duhet të përqendrohemi që të mos humbasim ndeshjet e tjera.”
“Sepse çdo pikë është e rëndësishme, – ka theksuar trajneri i Kombëtares. – Megjithatë i marrim ose jo këto 3 pikë, futbollistët nuk duhet të demoralizohen, por të luftojnë për ta fituar sfidën me Francën, pasi kjo është tepër e rëndësishme.” Shqipëria do të luajë miqësoren me Francën më 13 qershor 2015, duke nisur nga ora 18.00, në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshja do të transmetohet drejtpërsëdrejti në Rrjetin e RTSH-së.