AlbanianSport.com 11.10.2015 13:55
ASNN – De Biazi: Shqipëria do të bëjë maksimumin për të arritur kualifikimin në Armeni, por duhen shmangur gabimet e bëra me Serbinë. Pas mbërritjes në Armeni, trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, ka zhvilluar një konferencë shtypi ku është shprehur optimist për marrjen e një rezultati pozitiv nga takimi i së dielës.
Trajneri tha se atmosfera në skuadër është e mirë, pavarësisht humbjes në sekondat e fundit të ndeshjes me Serbinë. “Ne jemi të fokusuar në ndeshjen e nesërme (e sotme) dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë ndonjë gol minutat e fundit”- tha De Biazi, i cili u shpreh se beson në kapacitetet e skuadrës.
Natyrisht, ai do të kishte dashur që të kishte shkuar atje i kualifikuar. Por kjo nuk ka ndodhur dhe Shqipëria do të duhet ta kërkojë kualifikimin në Jerevan, diçka që trajneri De Biazi e di se do të jetë e vështirë. Strategu i Kombëtares pohon se, zhgënjimi nga dy humbjet e fundit, nuk do ta pengojë skuadrën që të përmbushë objektivin.
De Biazi kërkon të vlerësohet ajo që është bërë deri tani, pavarësisht gjithçkaje. Kombëtarja shqiptare ka gabuar në dy ndeshjet e fundit, ndaj Portugalisë dhe Serbisë, por shpresohet që të ketë nxjerrë mësime dhe të sigurojë kualifikimin direkt për në Euro 2016. Ndryshe, do të duhet të tentojë sërish, nëpërmjet “play off”-it.