AlbanianSport.com 06.02.2017 18:55
ASNN – Sikundër ishte njoftuar më herët, në prani të shumë personaliteteve dhe diplomatëve, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhovani De Biazi u vlerësua nga shteti italian me “Urdhërin e Yllit të Italisë”, i cili iu dorëzua nëpërmjet ambasadorit të Italisë në Tiranë, Alberto Kutilo.
“Nuk është trajneri ai që bën golat, por De Biazi arriti para nesh, para politikës, që të çojë Shqipërinë në Paris në Evropianin e futbollit, ku Shqipëria dha një demonstrim fantastik të aftësive të saj jo vetëm në futboll, – tha ambasadori italian. – Do të mjaftonte ky i fundit për të justifikuar çmimin mëse të merituar.”
I emocionuar është shfaqur De Biazi, në fjalën falënderuese për këtë vlerësim: “Jam i lumtur dhe i emocionuar sepse titulli “Kavalier” nuk është i lehtë të mbahet, aq më tepër që jep përshtypjen e një të moshuari. Por, jam krenar, pasi përfaqëson një urë mes dy kombeve, që, sipas meje, janë pranë.”
“Kemi në mes një det që na ndan, por një det që kalohet lehtësisht, kemi mentalitete që ngjasojnë dhe uroj që raportet të jenë gjithmonë bashkëpunues”, – ka thënë italiani me pasaportë shqiptare. Po kaq entuziast dhe vlerësues për trajnerin e përfaqësueses sonë është shprehur në fjalën e tij edhe kryeministri Edi Rama.
“Kur Konte la kombëtaren e Italisë, pata frikë edhe pse doja si tifoz që ai të zëvendësohej nga dikush me nivel, kisha frikë se ai dikush mund të ishte De Biazi, – tha ai. – Më pas, gjërat shkuan sipas rrjedhës dhe unë jam i lumtur që kemi një trajner më të mirë se kombëtarja e Italisë.”
Ndërkohë, dëshirën e kryeministrit që De Biazi të vazhdojë ende në stolin e Shqipërisë edhe në Evropianin e ardhshëm e frenon presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, me një batutë disi thumbuese: “Kryeministri di shumë më mirë punët e politikës”.