AlbanianSport.com 17.05.2016 08:45
ASNN – De Biazi pohon se është kandidat për stolin e Italisë, madje trajneri i Shqipërisë nuk e fsheh, teksa thotë: “Mediat thonë të vërtetën”. Në fakt, ai e pohuar se vendi i tij e thërret. Trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi pranoi se bën pjesë në listën e kandidatëve për stolin e Italisë.
Pranimi, pas lajmeve të shumta në media, u bë në studion sportive të televizionit publik italian, RAIDUE. “Kur e thonë mediat duhet ta besosh, – ka pohuar 60-vjeçari i stolit kuqezi. – Sidomos për shitblerjet janë gjithmonë të saktë”. Sidoqoftë, De Biazi nuk dëshiron të flasë përpara kohe.
“Fakti që më afrojnë me kombëtaren italiane për mua është një nder i madh, një kënaqësi e madhe, – ka vijuar ai. – Kam një kontratë me Federatën Shqiptare që dua ta respektoj. Jam plotësisht, madje 150 % i përqëndruar tek Evropiani. Në përfundim të “Euro 2016” të shikojmë se çfarë do të ndodhë.”
Brenda pak ditëve pritet që enigma të zgjidhet pasi Federata Italiane e Futbollit do të zgjedhe pasardhësin e Antonio Kontes përpara finales së Kupës së Italisë, që luhet në 21 maj 2016.