AlbanianSport.com 11.09.2015 21:25
ASNN – Suksesi i Kombëtares në këto Eliminatore ka tërhequr vëmendjen opinionit sportiv në të gjithë botën. Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhovani De Biazi, kanë bërë hapa gjigandë në renditjen e FIFA -s, pasi janë në vendin e 25-të për muajin shtator, ndërsa në gusht vendosën një rekord të ri, duke u pozicionuar të 22-tët.
Revista zyrtare e FIFA -s ka vendosur t’i kushtojë hapësirën kryesore përfaqësueses së Shqipërisë duke intervistuar trajneri De Biazi. Ai ka sqaruar se skuadra është rritur gjatë kohëve të fundit duke dhënë rezultat dhe kaluar në renditje ekipe të njohur si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Meksika.
Synimi kryesor është natyrisht kualifikimi në fazën finale të “Euro 2016”-tës, ku në fillim nuk besonte njeri. “Shqipëria ka siguruar matematikisht “play-off”-in, që është një arritje e madhe, pasi në fillim të Eliminatoreve askush nuk e mendonte se do të mbërrinim deri këtu, në një grup ku ndodheshin Danimarka, Serbia dhe Portugalia”, – ka thënë ai.
“Në këndvështrimin tim dhe të shumë të tjerëve ata ishin 3 ekipet kryesore, – ka vijuar trajner italian, por edhe me pasaportë shqiptare, i Kombëtares kuqezi. – Kualifikimi shikohet si një mrekulli nga njerëzit. Ne duhet të punojmë akoma që të arrijmë objektivin tonë.”
De Biazi pranoi gjatë intervistës se edhe klubet e futbollit po bëjnë hapa përpara me Skënderbeun, që mbërriti deri në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Skuadra korçare do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, e para herë për një ekip shqiptar.