AlbanianSport.com 26.03.2016 07:55
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen historike në fazën finale të Evropianit 2016, Shqipëria do të përballet sonte në një ndeshje miqësore me Austrinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës duke nisur nga ora 17:30 dhe Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, ka zhvilluar mbrëmë seancën e vetme stërvitore në kryeqytetin austriak.
Trajneri italian me pasaportë shqiptare ka zgjedhur t’u besojë titullarëve në këtë sfidë me një kundërshtar cilësor, që gjithashtu është kualifikuar për në fazën finale të Evropianit “Francë 2016”. Duke folur në konferencën për shtyp, De Biazi ka deklaruar se “Shqipëria do të luajë me kujdes, si gjatë Eliminatoreve”.
Në vijim, 60-vjeçari ka deklaruar: “Nuk kemi frikë askënd. Ne kemi lënë pas edhe ekipe të forta në grupin tonë eliminator, siç ishte Danimarka.” Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe kapiteni kuqezi, Lorik Cana, që ka theksuar se Shqipëria ka ardhur në Vjenë për një rezultat pozitiv.