AlbanianSport.com 24/03/2019 18:55
ASNN – Tifozët duan rikthimin e De Biazit, 62-vjeçari s’e fsheh dëshirën e një aventure të dytë. Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, nuk mund të përjashtohet si kandidaturë për të drejtuar skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë. Edhe pse në dukje është e pamundur, nisur jo vetëm nga dilemat e vetë trajnerit dhe nga pasiguria që ka vetë kreu i FSHF-së Armand Duka, një aventurë e dytë e italianit në Shqipëri nuk përjashtohet as si mundësi teorike e as si mundësi praktike. Kuptohet, De Biazi është trajner i sprovuar, për më tepër që kualifikoi Shqipërinë në “Euro 2016”.
Ai i ka dhënë provat që e konsolidon grupin, sidomos në aspektin mbrojtës, është mjeshtër për t’i marrë maksimumin grupit dhe intuitën për të menaxhuar psikologjikisht grupin pa qenë nevoja të krijojë konflikte e përplasje siç ndodhi me Panuçin në rastet me Cikalleshin e Strakoshën. Edhe pse vështirësia e kthimit të De Biazit është evidente, nisur dhe nga mospranimi i një pjese të grupit që kryesohet nga Taulant Xhaka, është mëse e qartë që De Biazin e duan shumica e lojtarëve dhe opinionit publik dhe italiani është mjeshtër për të kthyer popullaritetin në favor të tij.
Tifozët e shumtë të skuadrës përfaqësuese në rrjetet sociale kanë evidentuar dy emra për të drejtuar ekipin tani e tutje. Një shqiptar dhe një italian. Nga shqiptarët emri më i lakuar është Besnik Hasi, që vështirë se do të pranohej nga Duka për shkak të ndarjes mes tyre 7 vjet më parë, kur kosovari pranoi fillimisht pastaj u tërhoq. Kështu që kandidatura e De Biazit shihet më e përshtatshmja për të gjithë palët. Ndërkohë, ajo që e bën akoma më intriguese kandidaturën e trajnerit italian është qëndrimi i tij “as mish, as peshk” gjatë këtyre dy ditëve.
Ku dukshëm ai është joshur nga ideja për t’u kthyer dhe drejtuar kuqezinjtë. Ndoshta ai nuk ka marrë telefonatë nga Duka dhe kjo mund ta ketë penguar. Ndoshta është në pritje… Sidoqoftë, në deklaratat e fundit të dhëna për mediat, De Biazi ka komentuar shkarkimin e Panuçit dhe në mënyrë të përmbledhur mbi mundësinë e kthimit të tij në krye të Kombëtares kuqezi është përgjigjur shkurt “No comment”. Kjo lloj përgjigjeje tregon qartë se De Biazi e pëlqen fort idenë të kthehet në krye të Kombëtares. E forcon këtë bindje edhe qëndrimi i Armand Dukës.
Ky i fundut e ka lënë për të bërë zgjedhjen pas ndeshjes me Andorrën. Ditët deri në fund të marsit do të jenë përcaktuese, por përzgjedhja e trajnerit mund të vonojë disa javë, pasi të shqyrtohen kandidaturat. Dhe De Biazi nuk mund të përjashtohet si mundësi. Sidoqoftë, tifozët në rrjetet sociale e kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ata duan kthimin e De Biazit në stolin e përfaqësueses.