AlbanianSport.com 13.06.2015 10:05
ASNN – “Jemi përgatitur mirë për miqësoren me Francën, – ka thënë mbrëmë trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi. – Por të mos harrojmë që përpara kemi një skuadër të fortë që ka ardhur me formacionin më të mirë dhe do të kërkojë me ngulm fitoren.” Ndeshja miqësore me Francën do të luhet sot, në orën 18.00 në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, kërkon angazhim maksimal nga lojtarët e tij për ndeshjen me Francën. Për të dhe për të gjithë lojtarët kuqezinj, kjo miqësore është një test për dy ndeshjet e rëndësishme që do të luajë përfaqësuesja jonë në shtator të vlefshme për eliminatoret e Evropianit “Francë 2016”. Jemi përgatitur mirë por duhet të bëjmë kujdes se Franca vjen pas një humbje me Belgjikën dhe do të japë maksimumin ndaj nesh”, – ka deklaruar ai.
“Ne i dimë limitet tona dhe do të bëjmë maksimumin, – ka vijuar italiani gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp mbajtur në mjediset e “Elbasan Arena”. – Të mos harrojmë që, nëse do të bënim një paralelizëm me garat me makina, ata janë një makinë “McLaren” dhe ne jemi një “FIAT”. Për lojtarët e mi, mund të them që është meritë e tyre , por edhe paraqitja e tyre në Kombëtare, që ata kanë kaq shumë kërkesa në merkato.”