AlbanianSport.com 28.03.2015 15:35
ASNN – Pas takimit me Presidentin e Republikës, trajneri Xhovani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku e kanë vlerësuar Armeninë si një kundërshtar të vështirë. “Ne nuk hyjmë në fushën e lojës për të marrë një barazim, por për të fituar”, – ka deklaruar ndër të tjera trajneri italian, tashmë me pasaportë shqiptare.
“Dhe për këtë qëllim, e përgatisim ndeshjen me këtë synim në mendje, i përgatisimi lojtarët psikologjikisht me këtë ide dhe futemi në fushë vetëm për të fituar, – ka vijuar ai. – Nuk e shoh Armeninë si trenin e fundit për ne në këto Eliminatore, pasi ka edhe 15 pikë të tjera në lojë, për më tepër në një grup që ka dëshmuar se është mjaft i hapur.”
Në vijim në konferencën për shtyp para ndeshjes me Armeninë, De Biazi ka thënë se ekipi duhet të ruajë qetësinë dhe të vlerësojë kualitetin e kundërshtarit. “Duhet të bëjmë një ndeshje taktikisht të përkryer pa lejuar hapësira për kundërshtarin, sepse ata kanë lojtarë cilësore në kundërsulm, – ka thënë ai. – Ne nuk luajmë për barazim, por për fitore.”
“Për të fituar duhet studiuar loja e kundërshtarit, të përgatitemi psikologjikisht dhe të bëjmë detyrat që kemi kryer në stërvitje. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos na pushtojë entuziazmi. Kundërshtari ynë është i rrezikshëm dhe duhet marrë në konsideratë ndërsa ne duhet të shfrytëzojmë kualitetet tona”, – ka theksuar De Biazi.
Përsa i përket çështjes “Mavraj”, trajneri kuqezi deklaroi se mbrojtësi edhe mund të aktivizohet. “Më vjen keq që Ajeti dhe Aliji nuk do jenë pjesë e skuadrës për arsye burokratike, – ka thënë ai. – Ende nuk e dimë nëse Mavraj do të jetë ose jo, përgjigjen do ta marrim ditën e ndeshjes.”
“Curri është rikuperuar dhe është gati të zërë vendin në formacion, – ka vijuar italiani. – Kjo nuk është një ndeshje që vendos kualifikimin, pasi kjo vjen në vazhdimësi. Kemi fituar ndeshjen e parë, kemi barazuar të dytën dhe ishim pranë barazimit në ndeshjen e tretë.”
“Do të luajmë sfidën e 4-t dhe do të përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, i cili ka qenë shumë i prerë në përgjigjen e tij përsa i përket formacionit ndaj Armenisë, duke thënë se atë do ta vendosë vetëm, pak orë para ndeshjes.