AlbanianSport.com 10.01.2017 17:05
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhovani De Biazi, është nisur drejt Italisë me ftesë të mikut të tij, trajnerit të Sampdorias, Marko Xhampaolo. Lajmi është konfirmuar në një njoftim të botuar në faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Për dy ditë, ai do të ndjekë katër seanca stërvitore të skuadrës italiane. De Biazi do të njihet me praktikën stërvitore të Xhampaolos te Sampdoria, si dhe do të vëzhgojë çdo detaj tjetër teknik. Më pas, ai do të zbresë edhe në Palermo, në qytetin që Federata Italiane e Futbollit ka zgjedhur për të zhvilluar ndeshjen zyrtare të 24 marsit, Itali-Shqipëri, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit.
Së bashku me një zyrtar të FSHF-së ai do të përcaktojë gjithçka në lidhje me akomodimin atje të skuadrës kuqezi. Axhenda në vijim e trajnerit të Kombëtares do të pasojë me vëzhgimin e lojtarëve aktualë të Kombëtares që luajnë nëpër kampionatet e vendeve të Evropës.