AlbanianSport.com 10.10.2014 17:15
ASNN – Përpara ndeshjes me Danimarkën, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, ka deklaruar se është i kënaqur edhe me 1 pikë. Por ai ka kërkuar nga lojtarët e tij impenjim maksimal. Objektivi i trajnerit italian të kuqezinjve për ndeshjen me Danimarkën është marrja e një rezultati pozitiv. Kështu është shprehur ai në konferencën për shtyp një ditë përpara sfidës me Danimarkën, duke nënkuptuar se edhe me një pikë është I kënaqur.
Por për t’ia arritur kësaj, ai ka kërkuar nga lojtarët që të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të shfrytëzojnë rastet që do t’u krijohen. “Duhet të luajmë me shumë kujdes në ndeshjen e radhës, të largojmë çdo lloj euforie që mund të ketë ekzistuar këto kohë pas fitores së çmuar në Portugali, – ka theksuar fillimisht 58-vjeçari, duke folur në mjediset e kampit kuqezi në Durrës. – Po ashtu, kërkoj prej lojtarëve që të mos përfshihen mendërisht dhe emocionalisht në ndeshjen e 14 tetorit, që do ta luajmë me Serbinë.”
“Ai ballafaqim vjen pas Danimarkës, ndaj do të mendojmë për të vetëm pasi të kemi luajtur në Elbasan, – ka këmbëngulur De Biazi. – Danezët janë një kundërshtar i fortë, siç e kam theksuar edhe më parë, që kanë përgatitje fizike të admirueshme dhe dalin shumë shpejt në sulm. E kemi studiuar lojën e tyre dhe kemi marrë masat tona kundërvepruese, që do të gjejnë zbatim gjatë ndeshjes që do të luhet në stadiumin e ri të kombëtares.”
“Për momentin dua të them se do t’i shfrytëzojmë të gjitha “armët” tona për ta fituar këtë ndeshje, – ka theksuar ai. – U kam kërkuar lojtarëve të jenë tepër të kujdesshëm e të përqendruar nga minuta e parë deri tek e fundit. Secili duhet japë maksimumin për ta kaluar me sukses ndeshjen me Danimarkën. Nuk kemi pse bëjmë llogari për momentin, edhe pse kemi tre pikë dhe jemi kryesues të grupit së bashku me danezët. Jemi të ndërgjegjshëm se kemi 3 ekipe më të mira se vetja në grupin eliminator.”
“Ato janë Portugalia, Danimarka dhe Serbia, – ka kujtuar italiani. – Pra, na pret një ndeshje shumë e fortë nesër me një rival direkt për momentin, por që e konsideroj më të mirë se ne. Objektivi është i përhershmi: fitorja. Nuk do hyjmë kurrsesi për të marrë një pikë, pra barazimin, por do të kërkojmë pikët maksimale. Nuk mund ta them tani nëse do të më kënaqte një pike, varet se si shkon loja. Përgatitjet i kemi bërë të tilla, që të japim gjithçka dhe të marrim më të mirën e mundshme.”
“Pastaj, në varësi të rrethanave të lojës, edhe një pikë mund të na kënaqë”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi. Shqipëria është tashmë gati për t’u ballafaquar me kundërshtarin e radhës në eliminatoret e Grupit I të “Euro 2016”. E veanta e kësaj ndeshjeje është fakti se do të luajë në “shtëpinë e re”, në stadiumin e rindërtuar, në “Elbasan Arena”. Kjo i shton edhe më shumë pritshmëritë e tifozëve, që duan të shkojnë të plotë, në kuotën e 6 pikëve, në duelin e nxehtë me serbët, më 14 tetor, në Beograd.