AlbanianSport.com 03.10.2015 15:20
ASNN – De Biazi nuk shpërqendrohet nga atmosfera përpara Serbisë: “Është vetëm një ndeshje futbolli dhe si e tillë rëndësi ka vetëm rezultati”. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, kërkon të largojë skuadrën e tij nga atmosfera që shoqëron prej kohësh pragsfidën me Serbinë dhe që ka pak lidhje me fushën e lojës. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri është shprehur se vlerë ka vetëm arritja e objektivit final që është kualifikimi në Euro 2016.
“Kemi arritur në fazën e fundit të eliminatoreve dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme e rrugës tonë, – ka theksuar ai. – Duam të arrijmë objektivin final dhe për këtë duhet të një ndeshje inteligjente. Përballë kemi një rival të fortë, ndërsa kjo është një sfide e rëndësishme vetëm për rezultatin dhe jo situatat e tjera. Nuk duhet të shpërqendrohemi dhe të biem në grackë. Të gjithë mendojmë se është ndeshja e jetës dhe besojmë se kemi maturinë për ta përballuar këtë takim.”
Shumë pranë kualifikimit historik në finalet e një veprimtaria madhore ndërkombëtare dhe llogaritë kanë nisur prej kohësh. Por De Biazi nuk përfshihet në këto kalkulime. Për trajnerin, e fitorja është objektivi i vetëm më 8 tetor. “Gjithmonë kam thënë se ne hyjmë në fushën e lojës për të fituar dhe nuk ka pse të ndodhë ndryshe në këtë ndeshje, – ka thënë trajneri kuqezi. – Do të kërkojmë maksimumin. Llogaritë bëhen në fund, pasi nëse Danimarka fiton në Portugali, ne do të na duhet të fitojmë edhe me Armeninë.”
Për dy ndeshjet e ardhshme De Biazi ka grumbulluar 26 lojtarë. Sërish jashtë Mërgim Mavraj, ndërsa zyrtarizohet rikthimi i Alban Mehës. Ndërkohë i gatshëm do të jetë edhe Lorik Cana. “Lorik Cana dhe Burim Kukeli më kanë garantuar se janë rikuperuar dhe janë gati për të luajtur, – ka sqaruar italiani me pasaportë shqiptare. – Sidoqoftë, do të shohim sërish gjendjen e tyre gjatë grumbullimit.
“I kam idetë e qarta dhe në fushë do të zbresin ata që janë në formën më të mirë”, – ka përfunduar trajneri i përfaqësueses kuqezi, Xhovani De Biazi. Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin të hënë, pasi futbollistët të përfundojnë ndeshjet me skuadrat e tyre në kampionatet ku luajnë. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet të enjten në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.