AlbanianSport.com 05.10.2016 23:55
ASNN – Takimi i radhës për kuqezinjtë do të luhet në Lihtenshtejn por për shkak të interesimit të madh të tifozëve, stadiumi modest i përfaqësueses rivale në Botërorin 2018, do t’i ngjajë një impianti shqiptar. Trajneri Xhovani De Bizsi vendosi theksin tek eliminimi i rrezikut para portës shqiptare, duke tentuar më pas të maksimizojnë shanset në kuadratin e Lihtenshtejnit.
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes”, – ka deklaruar trajneri, duke shtuar: “Duhet të kërkojmë të jemi më të zotët se kundërshtari dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ndeshjet nuk fitohen pa nisur ende.” Peshë të madhe do të ketë mungesa e Sadikut, por De Biazi beson lojtarët e tjerë do të kompensojnë atë që pritej nga sulmuesi i kuqezinjve.
I pyetur në fund nëse do të firmoste për një fitore minimale ndaj Lihtenshtejnit, ai përgjigjet qartësisht: “Menjëherë!”. Shqipëria ndodhet në Grupin G të Eliminatoreve të Botërorit 2018 me 3 pikë pas një ndeshjeje. Përveç rivalit të së enjtes, në grup janë gjithashtu Spanja, Italia, Maqedonia dhe Izraeli.