AlbanianSport.com 15.04.2016 09:35
ASNN – Kur duhet edhe më pak se dy muaj nga fillimi i fazës finale të Evropianit, përfaqësuesja italiane është në kërkim të trajnerit që do të zëvendësojë Antonio Konte, në përfundim të turneut.
Mediat përtej Adriatikut e përmendin Xhovani De Biazi si një nga kandidatët për këtë post. Trajneri i Shqipërisë i kontaktuar nga Televizioni “Klan” deklaroi se lajmet për takimet e tij me përfaqësues të Federatës Italiane janë sajesa të mediave.
“Unë jam i përqendruar tek “Euro 2016”, – ka deklaruar italiani i Kombëtares shqiptare, duke folur për mediat e Apenineve. – Nuk mund të ndjek çdo lajm rreth përfaqësueses së Italisë. Kjo është një lojë e gazetarëve italianë.”
De Biazi përmend emrat e shumtë që publikojnë mediat për të marrë drejtimin e Italisë, si Kapelo, Maxarri apo Donadoni më parë. Të mërkurën ishte De Biazi që deklaroi për “Quotidiano Sportivo” që ishte një aventurë tërheqëse drejtimi i Italisë, por nuk ka patur asgjë konkrete deri më tani.