AlbanianSport.com 19.11.2016 07:55
ASNN – Përtej betimeve të përsëritura për besnikëri kuqezi, më në fund edhe ai vetë e ka pohuar atë që gazetarët shqiptarët ia kanë kërkuar shpesh si përgjigje. Se kishte qenë shumë pranë Italisë në një moment të caktuar, madje, edhe para se të shkonte me kuqezinjtë në Evropianin 2016.
Aktualisht ai është duke kaluar momentin më të vështirë me Kombëtaren e Shqipërisë, por, si para, ashtu edhe pasi i dërgoi kuqezinjtë në Kampionatin Evropian dhe paraqitjes pozitive në Francë, për Xhovani De Biazin u fol shumë se mund të ulej në stolin e përfaqësueses axurre.
Por tashmë është trajneri Ventura në stolin e Italisë, ndërsa De Biazi është duke vazhduar punën me Shqipërinë. Trajneri italian ka folur së fundmi për Radion “TMW” duke zbuluar një prapaskenë interesante sa i përket stolit të Italisë. Ai ka thënë se ishte shumë pranë të kaltërve, por dikush e ka bllokuar zyrtarizimin.
“Isha një hap larg stolit të përfaqësueses italiane, por ishte dikush që e bllokoi zyrtarizimin, – ka pohuar De Biazi për radion në fjalë. – Unë e di se kush është ky person.” Interesante është kjo deklaratë, teksa, në atë periudhë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pati zbuluar një detaj interesant.
I pyetur për të ardhmen e trajnerit të kombëtares, De Biazi, Duka përsëriti se italiani me pasaportë shqiptare është i përqendruar krejtësisht për të dalë me sukses në Euro 2016, ndërsa vetëm pas Evropianit do të diskutohet nëse do të vazhdojë me Shqipërinë, apo do të shkojë tek Italia.
“Fjalët për interesimin e Italisë janë në media, pasi De Biazi po mendon për Evropianin e më pas gjërat mund të diskutohen”, – pati deklaruar Duka në ditët e para të majit, i ftuar në studiot e RAI-t. “Unë kam miqësi me Tavekion dhe mendoj se, si profesionist, ai nuk mund të shqetësojë një trajner, i cili po punon për Evropianin”, – pati thënë presidenti i FSHF-së, duke iu referuar homologut të tij italian.