ASNN – AlbanianSport.com 15.11.2014 21:15
Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, është shprehur i pakënaqur me faktin që skuadra e tij humbi përqendrimin dhe u detyrua të kënaqej me një barazim me Francën. Duke folur për TVSH-në pas ndeshjes, trajneri i kombëtares bëri këtë analizë: “Kam thënë para ndeshjes se do të luanim për fitore, por edhe i jam druajtur goleadës, duke pasur parasysh nivelin e Francës”.
“Tani e them me siguri që nëse do të luanim për barazim, rrezikonim ta humbnim ndeshjen, – ka vijuar ai. – Barazuam dhe ky është një rezultat historik i Shqipërisë në përballjet me francezët (ku kuqezinjtë i kishin humbur të 4 përballjet e mëparshme). Skuadra ime zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Franca luante me katër sulmues, ndaj ne morëm masat tona, duke vendosur tre lojtarë në qendër.”
“Kërkuam të kishim superioritet numerik. Qëllimi im si trajner ishte të mos tërhiqeshim, por t’i sulmonim. Mund ta kishim ruajtur golin e Mavrajt deri në fund, por fatkeqësisht pësuam një gol edhe për gabimin tonë. Kjo më nxeh deri diku,”- ka përfunduar trajneri Xhovani De Biazi.