Adriatik Balla 14.06.2015 11:10
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhovani de Biazi, vlerësoi me nota mjaft pozitive lojën e skuadrës dhe rezultatin e ndeshjes, duke uruar ekipin për fitoren. Në tërësi ekipi kuqezi krijoi më shumë raste shënimi se sa francezët dhe yjet e Francës u lanë në hije nga të përzgjedhurit e De Biazit, të cilët dje treguan se janë plotësisht të aftë të pretendojnë kualifikimin në Evropian.
Në tërësi skuadra e De Biazit ishte dje korrekte, nuk pati gabime dhe luajti si e barabartë ndaj Francës. Kjo ishte një fitore e madhe e shqiponjës kuqezi ndaj “gjelave” francezë. Në fund trajneri përshëndeti lojën e elementëve të rinj, të cilët e justifikuan besimin e tyre dhe i dhanë garanci ekipit në repartet përkatëse. “Më vjen mirë për këtë
ndeshje dhe fitore, pasi suksesi erdhi falë punës në grup”, – ka deklaruar ai pas ndeshjes.
“Ne bëmë një ndeshje të mirë dhe takimi ishte i një niveli të kënaqshëm, por Franca nuk ishte në kondicionin e saj më të mirë, për më tepër ndodhej nën presion, – ka vijuar italiano-shqiptari i stolit kuqezi. – Sidoqoftë, ne e fituam këtë ndeshje dhe unë ndihem i kënaqur. Jam i lumtur dhe për paraqitjen e skuadrës në tërësi. Lojtarët zhvilluan një ndeshje korrekte, pa gabime dhe unë vlerësoj paraqitjen e tyre. Jam i kënaqur edhe nga lojtarët e rinj që angazhova sot.”
“Sidomos në mbrojtje, Ajeti dhe Aliji, të cilët bënë një ndeshje të mirë. Tashmë unë i kam ata në konsideratë. Fitorja vjen si pasojë e lojës në grup dhe ne ia dolëm të konfirmonim momentin e mirë tonin. Shpresoj të vijojmë kështu dhe në ndeshjet zyrtare”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, pas fitores me Francën. Shqipëria e fitoi dje ndeshjen me Francën 1-0, duke regjistruar njëkohësisht një sukses historik.