AlbanianSport.com 31.01.2015 09:00
ASNN – Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhovani De Biazi, pret që me ekipin të cilin e udhëheq të kualifikohet për në fazën finale të Kampionatit Evropian të Futbollit, që do të mbahet në vitin 2016 në Francë.
Ai thotë se kualifikimi do të tejkalonte pritjet e Shqipërisë. “Kualifikimi për Evropian do të tejkalojë pritjet tona, duke pasur parasysh grupin e vështirë”, – ka thënë De Biazi në një intervistë për “nuovavenezia.it”.
“Por, ne e kemi nisur mirë dhe do ta tentojmë kualifikimin”, – ka shtuar ai. Shqipëria është në Grupin I së bashku me Danimarkën, Portugalinë, Serbinë e Armeninë. Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, kuqezinjtë zënë vendin e tretë, me katër pikë.
Në intervistën e dhënë të enjten, 58-vjeçari i stolit kuqezi ka folur edhe për futbollin italian, ku aktivizohen disa futbollistë shqiptarë që janë pjesë e Kombëtares së udhëhequr prej tij.