AlbanianSport.com 07.10.2015 23:05
ASNN – Një ditë para ndeshjes me Serbinë në “Elbasan Arena”, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhovani De Biazi i kërkoi tifozëve që të tregojnë maturi dhe qetësi, duke i rikujtuar se luajnë të ardhmen dhe kualifikimin në sfidën ndaj ballkanasve. Në konferencën për shtyp bashkë me Lorik Canën, De Biazi tha se objektivi i vetëm është fitorja dhe se për formacionin titullar ka ide të qarta.
“Futemi në fushë gjithmonë për të fituar ndeshjen dhe jo për barazimin sepse duam të arrijmë objektivat që kemi, – ka thënë trajneri kuqezi. – Ndaj Serbisë luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme duke qenë se është kundërshtar i fortë dhe ky takim është vendimtar për ta ardhmen tonë. Për një trajner kjo është ndeshje e thjeshtë për t’u përgatitur pasi lojtarët e kanë motivimin brenda.”
“Serbia është një kundërshtar i fortë, por ne e njohim mirë, – ka vijuar 59-vjeçari. – Ne i respektojmë rivalët, por besojmë në formën tonë dhe do të luajmë për të fituar ndeshjen. Unë besoj se do t’ia dalim dhe nëpërmjet kësaj ndeshje do të tregojmë se përveç futbollit ne dimë të respektojmë kundërshtarin. Kjo është një sfidë vendimtare dhe unë i bëj thirrje tifozëve se pa ta nuk do të arrijmë dot objektivin historik.”
Ndërsa kapiteni Cana tha se për çdo futbollist është një sukses i jashtëzakonshëm arritja në këto pozita. Ai shtoi se kombëtarja shqiptare është e aftë të përballet denjësisht me çdo kundërshtar dhe këtë gjë do ta bëjë edhe në ndeshjen e së enjtes ndaj Serbisë. “Kënaqësia më e madhe për një sportist është të arrijë në situata të tilla”, – ka thënë gjakovari i Kombëtares kuqezi.
“Nëse ti arrin në situata të tilla dhe e vendos veten në situata të tilla është sukses dhe një arritje e madhe, – ka vijuar futbollisti që këtë sezon ka veshur fanellën e Nantës në kampionatin francez. – Ka shumë njerëz që bëjnë gjithçka në jetë, por asnjëherë nuk ndodhen në situata të tilla. Ne jemi me që ndodhemi në këto pozita dhe mund të realizojmë diçka që mund të jetë e paharrueshme për çdo njërin prej nesh.”
“Çdo episod brenda dhe jashtë aspektit sportiv ka qenë një gur që ka ngritur kalanë tonë për të qenë të pathyeshëm. Nuk do të thotë që jemi bërë ekipi më i mirë, por jemi një kundërshtar i fortë për çdo ekip”, – përfundoi kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana. Takimi midis Shqipërisë dhe Serbisë do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një transmetim maratonë.