AlbanianSport.com 27.08.2015 08:45
ASNN – Duke parë rëndësinë e ndeshjes, Danimarkë-Shqipëri, trajneri i përfaqësueses daneze, Morten Olsen, ka vendosur të grumbullojë lojtarët më të mirë për 4 shtatorin. Të dy ekipet janë me 10 pikë të barabarta në renditjen e grupit I, ndaj ndeshja mbart përveç emocioneve edhe fatin e përcaktimit të skuadrës që do të kualifikohet për në Francë.
Sfida e 4 shtatorit, Danimarkë-Shqipëri, e vlefshme për në grupin I të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”, është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Danimarkën. Për faktin se të dyja skuadrat ndodhen në kuotën e 10 pikëve të barabarta në renditje, trajneri i Danimarkës, Morten Olsen ka vendosur të grumbullojë lojtarët më të mirë të mundshëm.
Në sfidën e 4 shtatorit në stadiumin “Telia Park” të Kopenhagenit përballë Shqipërisë do të zbresë në fushë Danimarka më e mirë e mundshme. Trajneri i përfaqësueses skandinave i ka besuar lojtarëve më të mirë që luajnë në klubet evropiane. Në portë do të jetë Andersen, që luan me FC Kopenhagenin dhe Shmajkeli i ri, që luan te Leister Siti në Angli.
Nuk mungojnë emrat e mëdhenj as në repartin e prapavijës, me Poulsenin e PSV-së së Eind’hovenit, Boilesenin e Ajaksit dhe dy qendërmbrojtësit me përvojë, Kjaer dhe Ager. Mesfusha do t’i besohet si gjithmonë Eriksenit, Dehlit dhe talentit të Bajernit të Mynihut, Hojberg. Në sulm nuk mungon Vibe, autori i golit të Danimarkës në sfidën e parë që u zhvillua në “Elbasan”, e cila përfundoi në barazim 1-1, si dhe Bendtneri dhe Polseni.
Danimarkë-Shqipëri do të zhvillohet në 4 shtator 2015, duke nisur nga ora 20:45, në stadiumin “Telia Park” të Kopenhagenit, një sfidë që do të përcaktojë shumë përsa i përket fateve të Kombëtares kuqezi në grupin I të Eliminatoreve të “Euro 2016”-tës.