AlbanianSport.com 24.06.2016 14:20
ASNN – Shqipëria është vlerësuar me notën B nga “Daily Mail” për paraqitjen e saj në fazën e grupeve të “Euro 2016”-ës. E përditshmja angleze e ka quajtur mbresëlënëse lojën e Kombëtares kuqezi dhe si të pafat për ato humbje të pamerituara që pësoi. Kështu, e përditshmja angleze “Daily Mail” ka analizuar sot fazën e grupeve dhe paraqitjen e secilës përfaqësuese në Evropian, duke vënë nota për secilën skuadër.
Me “A me yll”, duke qenë kombëtaret më të mira në absolut deri tani, janë përzgjedhur vetëm Kroacia e Islanda. Me “A” janë vlerësuar Hungaria e Irlanda e Veriut, ndërsa me “A-“, Uellsi. Me “B+” janë vlerësuar Italia e Polonia, ndërsa pas tyre, me B vijnë Gjermania, Sllovakia e Shqipëria. Gjithë përfaqësueset e mbetura të Evropianit janë vlerësuar me notë më të ulët.
Ndërsa përfaqësueset e vlerësuara me notën më të ulët nga të gjitha, me “F”, janë Austria, Rusia e Ukraina. Për Shqipërinë, “Daily Mail” shkruan: “Një prej dy humbësve të pafat që e mbylli në vendin e 3-të dhe nuk ia doli të kualifikohej, Shqipëria i tejkaloi gjithë pritshmëritë, edhe pse nuk mundi të kalonte përtej fazës së grupeve në këtë Evropian.”
“Mbresëlënës, edhe pse luajtën me 10 lojtarë në humbjen ndaj Zvicrës, shqiptarët mbajtën Francën 0-0 për 90 minuta dhe pastaj fituan ndeshjen finale, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Një turne i mirë dhe diçka nga e cila vërtet mund të ndërtohet e ardhmja. Nota: B”, – përfundon vlerësimin e saj për Kombëtaren kuqezi e përditshmja angleze “Daily Mail”.