AlbanianSport.com 28.03.2016 12:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk ka mundur të niset të dielën nga Vjena ashtu siç ishte parashikuar për në Luksemburg. Shkak për këtë janë bërë vonesat në trafik si dhe kontrolli i rreptë në aeroportin e Vjenës.
Edhe pse ka mbërritur në aeroport 90 minuta përpara nisjes së avionit, për shkak të masave shumë të rrepta të marra nga policia austriake, si pasojë e ngjarjeve të rënda të ndodhura në Bruksel, një pjesë e futbollistëve nuk ka mundur të kryejë “check-in”-in.
Meqenëse kombëtarja jonë do të udhëtonte me një linjë tranzitore, avioni nuk mund të presë më shumë se 10 minuta. Ndaj autoritetet e aeroportit të Vjenës lajmëruan nisjen e avionit në orarin e caktuar.
Kështu Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk mundi të udhëtonte drejt Luksemburgut të dielën. Në këto kushte, stafi dhe gjithë futbollistët kuqezinj janë kthyer në hotel dhe vetëm sot janë nisur me avion “çarter” drejt Luksemburgut, ku të martën do të luajnë miqësoren e radhës.
Ja edhe sqarimi zyrtar i FSHF-së për ngjarjen:
Kombëtarja e Shqipërisë e cila kishte programuar për tu nisur sot nga Vjena për në Luksemburg, nuk ka arritur të udhëtojë drejt destinacionit të saj. Kjo sepse është penguar nga procedurat e kompanisë “Lux Air” e cila operon për këto udhëtime me kompaninë “Austrian Airlines”. Pas zhvillimit të stërvitjes së planifikuar në orën 10.00 dhe pas ngrënies së drekës, ekipi është paraqitur në Aeroportin e Vjenës, 1 orë e gjysmë përpara fluturimit. Avioni i kompanisë “Lux Air”, duhej të nisej në orën 15.00.
Por pasi ishte kryer proçesi i prerjes së biletave për pjesën më të madhe të ekipit e delegacionit dhe kur kishin mbetur vetëm 3 persona pa u pajisur me biletë, punonjësit e kësaj kompanie, kanë ndërprerë veprimet në mënyrë të njëanshme duke mos pranuar që të presin biletat dhe të kryejnë veprimet për pjesën tjetër të ekipit. Pavarësisht këmbënguljes dhe protestave të vazhdueshme të përfaqësuesve të delegacionit shqiptar, punonjësit e kompanisë “Lux Air” që operon me kompaninë “Austrian Airlines”, nuk pranuan të bashkëpunonin, për ta zgjidhur këtë situatë dhe nuk lanë asnjë mundësi zgjidhjeje, deri në fund.
Për këtë shkak, u vendos që edhe pjesa tjetër e skuadrës e cila kishte kryer veprimet, të mos hipte në këtë avion. Për të mos shkaktuar prishje të regjimit të skuadrës, kombëtarja u kthye në hotel në kryeqytetin austriak Vjenë. Nesër (sot) paradite ajo do të zhvillojë seancën stërvitore si zakonisht dhe në orën 15.00 do të niset për në Luksemburg. Federata Shqiptare e Futbollit, ka prenotuar për këtë udhëtim avion “çarter”, duke mos pranuar që të udhëtojë me avionin e kompanisë “Lux Air”, pas kësaj situate të krijuar prej tyre.
Pas kësaj ngjarje të paprecedentë, të ndodhur dje në drekë në Aeroportin e Vjenës, Federata Shqiptare e Futbollit do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për dëmtimin moral dhe financiar të shkaktuar nga kompania “Lux Air”, e cila operon me “Austrian Airlines” dhe është e vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.