Adriatik Balla 05.09.2015 13:10
Kapiteni i skuadrës kombëtare, Lorik Cana, tha pas ndeshjes se barazimi ishte një rezultat i drejtë dhe i merituar për ekipin kuqezi, duke shtuar se, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në fushë pretendimi i fitores ishte gati i pamundur.
“Ne morëm një rezultat të drejtë dhe të merituar, – ka deklaruar gjakovari pas ndeshjes. – Një pikë është shumë mirë dhe barazimi është rezultat pozitiv. U përballëm me një skuadër shumë të fortë, e cila na vuri në vështirësi serioze.”
“Megjithatë, ne ia dolëm të merrnim një pikë dhe objektivi është realizuar, – theksoi ai. – Kjo është skuadra më e mirë kombëtare që kemi pasur ndonjëherë dhe i kemi shanset reale për të shkuar në Evropian.
“Ndaj Portugalisë do të synojmë sërish rezultat pozitiv”, – përfundoi Lorik Cana. Shqipëria ka arritur, në fakt, të parin rezultat historik në tokën daneze, ku ishte mundur në 4 takimet e deritanishme.
Ajo ka marrë një barazim pa gola ndaj përfaqësueses vendase dhe duke mbetur në rrugë të mbarë për një kualifikim historik për në “Euro 2016”. Kombëtarja kuqezi ka marrë një pikë mjaft të vlefshme në barazimin pa gola të premten në mbrëmje.