AlbanianSport.com 05/09/2021 22:15
ASNN – Futbollisti i ri i Kombëtares kuqezi rrëfen për RTSH Sport emocionet e golit. Ishte goli i tij që vulosi fitoren minimale, por mjaft të vyer në minutat e fundit ndaj Hungarisë. Dhe, natyrshëm nuk e ka fshehur kënaqësinë e gjetjet së golit të parë kuqezi.
“Jam shumë krenar për këtë fanellë, për këtë ekip, – ka thënë ai. – Ka qenë ndeshje e rëndësishme, duhej ta fitonim medoemos për tre pikët. Më futi trajneri dhe shyqyr Zotit bëra gol dhe u kënaqëm të gjithë. Është shumë mirë të bëj golin e parë sepse të jep shumë kompetencë e besim.”
“Goli vjen kur do goli, ka raste që luaj mirë e nuk vjen, më e rëndësishme është të marrësh 3 pikë”, – ka vijuar futbollisti i ri, i cili nuk ka dëshiruar të komentojë zgjedhjet e trajnerit Reja. “Trajneri bën një ekip dhe s’mund të thuash gjë, – ka thënë ai. – Unë mund vetëm të bëj mirë në ndeshje dhe stërvitje.”
“Nuk më futi në ndeshjen e parë, por është shumë bukur të futem tani në fund dhe të shënoj gol, – ka këmbëngulur ai. – Isha pak me nerva sepse nuk luajta me Poloninë dhe nuk nisa sot, por nuk stresohem sepse e di që do të vijë koha ime dhe unë mundem ta shfrytëzoj.”
“Kritikat e trajnerit? Ai ka mendimin e tij, – ka thënë Broja. – Kur e dëgjova, ula kokën dhe vazhdova punën. Ky gol ka vlerë të madhe sepse është edhe i pari. Ekipi është më i rëndësishëm, unë luajta 20 minuta, por gjithë ekipi ka luftuar në fushë dhe jemi të kënaqur.”
“Jam lojtar që dëshiron të luajë gjithë ndeshjen, por ekipi është më i rëndësishëm dhe kur të fut trajneri 20 minuta, 10 minuta, asnjë, duhet të jesh pjesë e ekipit e duhet të mos bëhesh me nerva dhe të vazhdosh me futbollin’, – ka përfunduar Armando Broja, futbollisti që është në pronësi të Çellsit, por është huazuar tek Sauthemptoni.