AlbanianSport.com 23.03.2016 17:40
ASNN – Në kuadër të dy takimeve miqësore që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në këtë fund marsi, ekipi kuqezi i trajnerit Xhovani De Biazi, vijon përgatitjet në kampin e saj stërvitor në Durrës.
Në konferencën e sotme për shtyp kanë dalë para mediave portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, të cilët kanë theksuar se në “Francë 2016” do të synohet edhe kalimi i grupit.
Sporti nuk duhet t’i nënshtrohet terrorit dhe, për këtë arsye, portieri i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha, shpreson që Evropiani i Francës të mos luhet pa tifozë. Duke folur në konferencën e përditshme për shtyp, gardiani i portës kuqezi ka theksuar se në “Francë 2016” do të synohet edhe kalimi i grupit.
Fjalëve të shokut të skuadrës u ka bërë jehonë edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili ka theksuar se hëpërhë, nuk po mendon për të lëvizur nga klubi i Napolit. Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në javën në vijim, atë kundër ndaj Austrisë më 26 mars dhe Luksemburgut më 29 mars.