Adriatik Balla 05.09.2015 15:20
Mbrojtësi Ansi Agolli ishte dhe një herë tjetër një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për skuadrën tonë kombëtare. Në pjesën e parë ishte i pakalueshëm dhe ndërmori disa aksione në krahun e majtë të ekipit kuqezi, duke tentuar nëpërmjet krosimeve të tij “të hidhura” që të gjejë Cikalleshin e zbuluar.
Në pjesën e dytë hasi në vështirësi, pasi u vu nën presionin e Jusuf Poulsenit, i cili i solli siklet, por Agolli, me përvojën e tij, ia doli të ruajë deri në fund krahun e tij të paprekur. Pas ndeshjes ai tha se barazimi ishte rezultat i mirë dhe tani Kombëtarja duhet të mendojë për kualifikimin.
“Ne luajtëm mirë në një ndeshje shumë të vështirë, – ka deklaruar pas ndeshjes kryeqytetasi kuqezi, që luan në Azerbajxhan me Karabagun. – Danimarka është skuadër shumë e fortë dhe na vuri në vështirësi, por unë mendoj se barazimi është rezultat që na ndihmon.”
“Morëm një pikë, por ne ruajtëm të paprekur serinë e rezultateve pozitive. Duhet të vazhdojmë në këtë formë dhe në ndeshjet e tjera dhe ëndrra e kualifikimit për ne është e hapur. Do të përpiqemi deri në fund të bëjmë krenarë shqiptarët”, – ka përfunduar Ansi Agolli.