Gjergj Vyshka 19.10.2016 18:00
Skënder Anxhaku është ndër të vetmit anëtarë të Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që nuk ka qëndruar indiferent ndaj skandaleve që emisioni investigativ “Fiks Fare” në Televizionin “Top-Channel” ka shfaqur për delegacionin olimpik shqiptar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Ndaj menjëherë sapo ka ardhur nga Doha ka kërkuar një mbledhje urgjente të Komitetit Drejtues. “Sepse, – thotë Anxhaku, – nuk mund të kalojë kështu thjesht. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta për atë që shfaqur dhe çfarë ka ndodhur në Rio me delegacionin olimpik shqiptar.”
“Që nga sportistët, trajnerët, drejtuesit e delegacionit e deri tek shefi i misionit duhet të përgjigjen për gjithçka që ka ndodhur, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris dyrrotakët shqiptarë. – Ndaj dhe kam kërkuar me urgjencë këtë mbledhje të Komitetit Drejtues të KOKSH-it.”
Nuk duhet harruar që jo vetëm një anëtar mund të kërkojë një mbledhje urgjente të Komitetit Drejtues, por në raste më urgjente dhe ¼ e komunitetit parashikuar në status mund të thërrasë Asamblenë e Jashtëzakonshme. Përtej kësaj, tashmë është fakt, Anxhaku ka kërkuar një mbledhje tjetër urgjente të Komitetit Drejtues.
E kërkon një gjë të tillë duke mos u mjaftuar me atë çfarë është diskutuar më 16 shtator 2016 në prani të zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj. Sepse, sipas tij, nuk është gjë e lehtë që një delegacion olimpik të përfundojë në kamerat e fshehta të “Fiks Fare”.