Gjergj Vyshka 15.10.2016 10:25
Rekordmeni dhe kampioni: “Edhe pse ishin në Rio nuk denjuan të shkojnë në mbledhjen teknike të Federatës Ndërkombëtare të Notit”. Nuk kishte folur ndonjëherë. Madje e kanë lakuar për një djalë shumë të sjellshëm dhe të mirë, që gjithnjë ka parë punën e vet dhe ka dhënë ato rezultate që jo të gjithëve u kanë qëndruar mirë.
22”80 është koha e tij në 50 metra stil i lirë duke qenë edhe një rekord kombëtar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Por, në fakt, shkuarja e Hoxhës në Rio ka qenë një kalvar më vete. Së pari, e kanë regjistruar me kohë tjetër në 50 metra stil i lirë, së dyti, nuk i kanë njohur normën e kualifikimit në 100 metra stil i lirë.
Dhe duke qenë se tashmë kanë shpërthyer skandalet në KOKSH, Hoxha ka vendosur të flasë dhe të tregojë të gjitha prapaskenat që lidhen me keqorganizimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Për të qenë transparent me lexuesit AlbanianSport.com po e sjell të plotë reagimin e tij.