Gjergj Vyshka 07.08.2015 09:45
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dje ka marrë zyrtarisht ftesën e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, të cilat zhvillohen në kryeqytetin brazilian më 5-21 gusht të vitit të ardhshëm. Janë Lojërat e 31-ta verore e si të tilla kanë kohë që janë vlerësuar nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të globit, të cilat kanë nisur të numërojnë tashmë të kualifikuarit me normë për në Olimpiadë.
KOKSH e ka marrë këtë ftesë të firmosur nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, ndërsa sipas lajmërimit që është në faqen e “Facebook”-ut të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar ekipi ynë olimpik është krenar që do të marrë pjesë në këtë eveniment, ndërsa u është uruar suksese olimpistëve shqiptar. Por pyetja që shtrohet është se kush do të na përfaqësojë neve?
Jemi një vit përpara këtyre lojërave dhe deri më tani, jo vetëm për shkak të cilësisë së dobët në ballafaqimet ndërkombëtare të disa disiplinave sportive, por dhe për shkak të dopingut, të numëruarit me normë kualifikimi janë me gishta. E vetmja e garantuar është Luiza Gega, e cila jo vetëm që ka realizuar rekordin kombëtar 4’02”63 në Pekin, që është normë kualifikimi në 1500 metra, por të tillë ajo ka edhe në 800 metra.
Vetëm në Lojërat e Para Evropiane, të cilat në qershor u zhvilluan në Baku, Gega është medalje e artë në 1500 metra, si dhe e argjendtë në 800 metra. Sikundër është nënkampione e Ballkanit në 800 metra dhe Kampione e Ballkanit në 1500 metra. Madje është dhe në prag të pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Atletikës në Pekin, atje ku duket se do të vuloset dhe norma e kualifikimit.
Në fakt flitet për kapje të normës B të kualifikimit për në Olimpiadë nga Sidni Hoxha në 100 metra stil i lirë në Kazan me kohën 50”45. E po kështu pretendohet edhe në qitje nga Konini, që në Evropianin e Lubjanës në 25 metra pistoletë ka arritur minimumin e pikëve të kualifikimit 555. Të tjerët? Për fat të keq duket se do të ngrohen në “diell”, sepse përveç problemeve të dopingut në peshëngritje, tashmë po ky doping është shfaqur dhe në boks.