Gjergj Vyshka 30.12.2016 18:00
Pas pjesëmarrjes në 20-vjetorin e Universitetit të Lionit për programin “Dugos”, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello ka qenë edhe në Bashkimin Evropian. Tashmë në Bruksel për përmbylljen e projektit të SIGGS (Mbështetja dhe Zbatimi i Qeverisjes së Mirë në Sport). Një projekt i ideuar dhe menaxhuar nga zyra e Komitetit Olimpik Evropian, përfaqësuar në Bashkimin Evropian (EOC EU office).
Ky projekt, i cili nisi në janar 2015 me qëllimin kryesor për të ofruar udhëzime praktike për Komitetet Olimpike dhe Federatat Kombëtare Sportive, u zhvillua me 12 partnerë, 9 shtete, 200 organizata sportive të përfshira etj. Qëllimi kryesor i konferencës përfundimtare në Bruksel ishte për të prezantuar rezultatet e projektit dhe në mënyrë të veçantë prezantimi i metodologjisë së mënyrës së vetëvlerësimit, e cila përfshin në vetvete 4 hapa.
Këto hapa janë regjistrimi, pyetësori, sinteza dhe analiza e pyetjeve, plani i veprimit që sugjerohet në bazë të pyetësorit, jo vetëm kaq, por edhe për të diskutuar se si mund të mbështetet dhe zbatohet në sport në të gjitha nivelet. Moderatorët e panelit në këtë konferencë ishin Pierr Oliver Bekers Vieujant (Anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe President i Komitetit Olimpik të Belgjikës), dhe Zhanez Kocijançiç (Presidente në detyrë e Komitetit Olimpik Evropian).
Po kështu kanë qenë Antoaneta Anxhelova Krasteva (Drejtoreshë për Sportin dhe Rininë pranë Komisionit Evropian), Ingmar De Vos (Presidenti i Federatës Botërore të Hipizmit), Pakere Zhirard Zapeli (Drejtuese e Zyrës së Etikës pranë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar), Kamil Novak (Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Basketbollit), Marijeke Flëren Van Valsel (Presidente e Federatës Evropiane të Hokejit), Zhoao Paulo Almeida (Drejtoreshë e Përgjithshme e Komitetit Olimpik të Portugalisë) dhe Darren Bejli (Kryetar i Këshillit të Grupit të Ekspertëve për Qeverisjen e Mirë).
Ndërkohë që partnerët institucional dhe organizatave të rëndësishme sportive Evropiane janë: Komisioni i Bashkimit Evropian bashkëfinancues nëpërmjet “Erasmus+” dhe i mbështetur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Qëllimi kryesor i të gjithë këtij projekti është të promovojë dhe të mbështetsë Komitetet Olimpike dhe Federata Sportive në zhvillimin e parimeve të qeverisjes së mirë. Sepse vetëm kështu mund të bëhen më aktive për një sport cilësor.
Dhe kjo pjesëmarrje e Bellos në Bruksel dhe në Këshillin e Evropës do të thotë një rritje e vlerave të KOKSH dhe të sportit shqiptar. Aq më tepër që në janar 2015 një seminar i tillë për forcimin e qeverisjes së mirë sportive është bërë dhe në vendin tonë. E sporti shqiptar ka nevojë për të tilla modele…