Gjergj Vyshka 09.01.2015 13:10
Ndërkohë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar që në muajin dhjetor ka shpërndarë një pyetësor për Federatat Sportive, ndërsa ka për qëllim përmirësimin efikasitetit të sistemit tonë kombëtar sportiv. Nëpërmjet këtij pyetësori KOKSH kërkon të mbledh nga anëtarët e tij disa informacione mbi të cilat do të përpunohet një “databaze”, sipas pyetjeve në formular. KOKSH ka garantuar se të gjitha të dhënat do të jenë konfidenciale dhe do të përdoren vetëm për qëllime të zhvillimit të Lëvizjes Olimpike në vend.
“Përgjigjet tuaja do të jenë të vlefshme dhe ne ju falënderojmë për gatishmërinë për të plotësuar këtë pyetësor me saktësi. Të gjitha mendimet dhe sugjerimet tuaja janë të mirëpritura”, – ka thënë në KOKSH, ndërsa Federatat sportive kanë pasur kohë deri më 10 dhjetor të kthejnë përgjigje. Çfarë ka kërkuar KOKSH? Së pari vitin e themelimit të Federatës Sportive dhe vitin e anëtarësimit në Federatat Ndërkombëtare. Numrin e anëtarëve dhe shoqatave me të drejta të plota në Federatë dhe me të drejta të kufizuara.
Funksionimi i Asamblesë së Përgjithshme së bashku me numrin e anëtarëve me të drejtë vote dhe pa të drejtë vote. Numrin e anëtarëve të Komitetit Drejtues së bashku me emrat e anëtarëve. Rolin e sekretarit të përgjithshëm duke specifikuar nëse është i emëruar nga Komiteti Drejtues, asambleja apo të tjerë. Ashtu sikurse paguhet me kohë të plotë, të pjesshme, apo është vullnetar me kohë të plotë, apo të pjesshme. Lloji i pagesës së stafit me buxhet nga shteti, me fonde të Federatës, me fonde të Federatës Botërore dhe Evropiane, apo me fonde të organizatave të tjera, apo vullnetar.
Jo vetëm kaq është kërkuar nëse zyrat janë pronë e Federatës, apo janë mjedis që paguhet me qira. Madje u është kërkuar Federatave nëse zyrat ndahen me institucione të tjera, që në ish-kompleksin Dinamo është normale për një pjesë të mirë të institucioneve sportive, të cilat qëndrojnë në një zyrë të përbashkët. Federatave u janë kërkuar nëse kanë ambiente të tjera, si dhe çfarë mjetesh teknike përdorin në zyrat e veta. Për financat është kërkuar burimet nga vijnë ato, buxheti i shtetit, apo dhe dytësore, si dhe nëse është kryer auditimi i tyre ndonjëherë, apo jo.
Gjithashtu u janë kërkuar komisionet, si dhe nëse ka barazi gjinore në to. Jo vetëm kaq, por nga pyetësori është kërkuar informacion për programet e përgatitjeve të sportistëve, apo përgatitjet për në Lojërat Olimpike prej sa kohësh kryhen. Madje për një nxitje të mëtejshme u janë kërkuar Federatave nëse ka plan për përgatitjet për Lojërat Olimpike Evropiane “Baku 2015”, ato Mesdhetare “Taragona 2017” e të tjera si këto. Jo vetëm kaq, por u është kërkuar nëse kanë zyrë shtypi dhe zëdhënës për shtyp, si dhe çfarë mjetesh komunikimi kanë me mediat.