Gjergj Vyshka 25.01.2015 17:05
Paketa Olimpike Nr.4 është mirëpritur në Qarkun e Elbasanit, teksa shpërndarja e saj, sipas informacionit që ka dhënë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në faqen e saj të “Facebook”-ut, është bërë për të gjithë mësuesit e edukimit fizik të këtij rrethi.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Elbasanit dhe Komitetin Olimpik Rajonal të këtij rrethi takimi është zhvilluar në mjediset e ish-shkollës Pedagogjike, ndërsa në të kanë marrë pjesë 70 mësues të edukimit fizik të shkollave 9-vjeçare.
Fjalën e hapjes e ka mbajtur presidenti i nderit i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Hysen Domi, i cili prezantoi dhe eksperiencën e tij me politikat e edukimit olimpik nëpër shkolla.
Madje me cilësinë e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Domi më 2008-ën ka nënshkruar për herë të parë marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit.
Dhe pjesë e marrëveshje ka qenë futja e edukimit olimpik dhe organizimi i ditëve olimpike si pjesë e programit të edukimit fizik. Paketa për mësuesit e edukimit fizik të qarkut Elbasan është prezantuar nga anëtarja e Komitetit Drejtues të KOKSH, Majlinda Pilinçi.
Po kështu ka folur dhe koordinatorja e projektit, Eda Çaushi, ndërsa pati diskutime për zhvillimin e ditëve olimpike nëpër shkolla në prill dhe në maj.