AlbanianSport.com 05/01/2018 11:15
ASNN – Viron Bezhani, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, e ka nisur vitin 2018 me një mesazh urimi për të gjitha mediet sportive, vizive dhe të shkruara. Ideja e tij është më tepër partneritet me mediet, bashkëpunim për të pasqyruar sportin shqiptar ndërkombëtarisht.
Aq më tepër që moria e veprimtarive ndërkombëtare, të cilat kulmojnë me Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, janë të shumta. Ndaj dhe Bezhani kërkon mbështetje mediatike, gjë të cilën deri më tani nuk e ka bërë as Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por në një farë mënyre as federatat sportive.
Për më tepër transparencë ja dhe mesazhi i plotë i presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, për mediat sportive.
“Të nderuar miq dhe përfaqësues të medies! Në radhë të parë dua t’ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 2018, që të jetë një vit i mbushur me suksese e gëzim në jetën tuaj. Dhe jo vetëm, pasi i tillë duhet të jetë ky vit edhe për sportin shqiptar, që nis një tjetër vit të gjatë dhe të mbushur me sfida të vështira. Këtë vit dhe për 3 vite me radhë nis një cikël i gjatë prej 3 aktivitetesh të mëdha sportive ndërkombëtare, atje ku edhe Shqipëria do të përpiqet të thotë fjalën e saj. Bëhet fjalë për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, Lojërat Olimpike Evropiane në vitin 2019 (Minsk) dhe në fund Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Tri aktivitete të mëdha sportive, ku Shqipëria do të tentojë më të mirën, arritjen e rezultateve sa më të mira dhe marrjen e medaljeve. Për këtë arsye do t’ju kërkoja të gjithëve një vëmendje më të madhe për sportin, që ai të jetë sa më shumë i pranishëm në media, duke mbështetur sportistët, trajnerët, drejtuesit dhe të gjithë aktorët që e zhvillojnë atë. Edhe MEDIAT janë aktorë të rëndësishëm të zhvillimit të sportit, pasi pa mbështetjen dhe promovimin tuaj çdo punë e jona nuk do të kishte kuptim. Ndaj ju ftoj të na mbështesni, të jeni partneri ynë në këtë rrugëtim, por edhe të na kritikoni e vini në dukje të metat që kemi, për t’i përmirësuar ato. Ta mbështesim sportin dhe të promovojmë vlerat e tij për të afruar sa më shumë të rinj me fushat sportive dhe t’i largojmë ata nga veset, të krijojmë një komunitet të shëndoshë dhe që kërkon të zhvillohet përmes sportit. Pasi sporti është vetë jeta. Ndaj ejani ta bëjmë Shqipërinë sa më shëndetshme përmes zhvillimit të sportit dhe promovimit të tij duke ofruar më shumë sport dhe argëtim, që nesër të festojmë të gjithë së bashku rezultatet e punës sonë të përbashkët. Gëzuar 2018-ën”.
Ky është mesazhi i presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili duhet marrë në konsideratë. Sepse Shqipëria e sportit është më e përfaqësuar ndërkombëtarisht se në të gjitha fushat e tjera. Ndaj dhe duhet përkrahur…