AlbanianSport.com 26.02.2016 19:50
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka organizuar dje në mesditë, në mjediset e Hotel “Mondialit” në kryeqytet, një mbledhje me të gjitha Federatat Sportive për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare, të cilat vitin e ardhshëm organizohen në Tarragona të Spanjës. Në këtë mbledhje, e cila nuk dihet se përse është bërë me dyer të mbyllura për mediat, ndërsa dhe pas saj nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për atë që diskutuar në të, kanë marrë pjesë zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, dhe drejtori i Sportit në këtë dikaster, Vladimir Gjonaj.
Po kështu kanë qenë të pranishëm Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, së bashku me disa nga anëtarët e Komitetit Drejtues, por dhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi, Stavri Bello. Në pjesën më të madhe të Federatave është konfirmuar pjesëmarrja, madje ajo ka ardhur dhe nga volejbolli, që në Lojërat e mëparshme Mesdhetare “Mersin 2013”, ashtu sikurse basketbolli, nuk kanë marrë pjesë për arsye financiare.
Ndërkohë vlen të përmendet mungesa e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Mundjes, Presidentit Martin Biba dhe Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Ndriçim Spahiut, sepse në të kundërt të Federatave të tjera, ato përsëri nuk kanë pasur ftesë nga KOKSH. E kjo nuk është normale, sikurse nuk është normale as lajmërimi i medieve për këtë mbledhje, që sidoqoftë, është kryesore për sportin shqiptar pas pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike të këtij viti në Brazil.