Gjergj Vyshka 06.03.2015 07:55
Qëllimi i gjithçkaje është që ora e edukimit fizik të mos shihet më thjesht si një gjë kalimtare. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministria e Arsimit e Sportin prezantojnë projektin. Paketa olimpike Nr.4 dhe gjithëpërfshirja e nxënësve jo vetëm në edukimin fizik si proces mësimor, por dhe si një mundësi për një edukatë në të gjitha anët. Ky ka qenë qëllimi i projektit që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ka prezantuar dje në mjediset e hotel “Doro City”.
Në prezencën e drejtorëve të Drejtorive Arsimore Rajonale, të cilët kanë marrë paketat, që do t’i shpërndajnë nëpër shkollat e tyre, presidenti i Akademisë Olimpike Shqiptare, Agron Cuka, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, si dhe drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Zamira Gjini, kanë bërë dhe vlerësimet e tyre për këtë paketë olimpike, e cila nuk është e para. Për Cukën, edukimi olimpik duhet parë si një mundësi e edukimit të të gjitha brezave.
“Kjo nuk është e para si paketë olimpike, sepse është fryt i një marrëveshje prej vitesh me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, – ka thënë ai. – Ka vite që përgatitet si paketë olimpike, e cila ka për qëllim gjallërimin e jetës sportive tek nxënësit. Sepse ky program nxjerr dhe edukon njerëz me moral të lartë, atdhedashuri. I edukon më së shumti ato, ndërsa shtimi i orëve të edukimit fizik dhe edukimin e nxënësve në të gjitha anët, ndërsa sportin e bën më shumë se sa pararojë”. Sakaq për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, është paketë me vlerë.
“Më duhet të falënderoj Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për këtë bashkëpunim, sepse jemi në rrugë të mbarë me këtë paketë olimpike, – ka thënë kreu i KOKSH-it. – Aq më tepër që është hera e katërt që e shpërndajmë, ndërsa interesimi për këtë paketë nga të gjitha drejtoritë arsimore më bën entuziast. Kjo paketë do të shkojë në çdo shkollim, ndërsa është një vlerë më vete. Janë tre disiplina në të cilat përmblidhen, mësuesi, nxënësi dhe prindi. Duhet të arrijmë suksesin, si dhe të organizojmë më shpesh ditët olimpike”.
Ndërkohë për zëvendësministren Malaj, kjo paketë olimpike i jep mundësinë e përfshirjes së gjithë fëmijëve. “Rrjeti i sportit është trajnuar në tre paketat e para olimpike, – ka thënë ajo. – Është një sistem gjithëpërfshirës, qoftë në orët teorike dhe praktike, që rrit kompaktësinë, miqësinë, partneritetin. Dhe duke e parë shkollën si një qendër komunitare, atëherë dhe prindërit do të jenë pjesë aktive e këtij projekti. E kemi tashmë mjedisin e jashtëm për edukimin jo vetëm fizik, por dhe në të gjitha anët të të gjithë nxënësve, sepse kjo paketë do të arrijë që fëmijët t’i mbajë larg veseve dhe dhunës.”
“Meqë jemi dhe përpara festës së mësuesit dhe grave, atëherë ju uroj të gjithë suksese”, – ka përfunduar Malaj. Dhe në fund ka përshëndetur dhe drejtoresha e Arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, e cila ka vlerësuar më së shumti bashkëpunimin me Drejtorinë e Sportit. Nëpërmjet videove është bërë kalimi i të gjitha ditëve olimpike në të gjithë Shqipërinë më 2014, si dhe më pas është bërë dhe prezantimi i paketës olimpike 2015. Kësisoj synohet që ditët olimpike të jenë me një përmasë më të madhe, që do të synojë dhe rritjen e masivitetit në sport.
Në këtë promovim të paketës olimpike 2015 ka qenë i pranishëm drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, përgjegjësja e sportit në shkolla Elvira Baze, si dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello. Pa harruar dhe prezencën e anëtarëve të Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Majlinda Pilinci dhe Ilir Gusho.